Rekord turistik: 9 milionë vizitorë në Shqipëri – Rama: Prioritet cilësia, jo numrat

Rekord turistik: 9 milionë vizitorë në Shqipëri – Rama: Prioritet cilësia, jo numrat

Sezoni turistik i këtij viti, që ende vijon, u vu në qendër të një takimi të zgjeruar me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të strukturave të lidhura me turizmin, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, si dhe Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Blendi Gonxhe.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama nënvizoi se prioriteti i qeverisë nuk është më rritja në numër e turistëve, por rritja e cilësisë së shërbimeve dhe konsumi më i lartë i vizitorëve në vend.

Sipas të dhënave të prezantuara, deri më tani Shqipëria ka pritur mbi 9 milionë vizitorë, ose 500 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kryeministri hodhi poshtë pretendimet për një “rënie” të vizitorëve, duke theksuar se edhe nga Kosova ka pasur një rritje, ndonëse jo të lartë për shkak se pjesa më e madhe e qytetarëve kosovarë kanë vizituar tashmë Shqipërinë.

“Rritje kemi parë nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, por edhe nga tregje më të largëta si Franca, Gjermania, Kina, India, Brazili, Australia, Turqia dhe Izraeli. Megjithatë, objektivi ynë nuk është më thjesht numri, por cilësia e turizmit dhe shpenzimet që mbeten në vend”, u shpreh Rama.

Ai solli si shembull Eurobarometrin e fundit të Komisionit Europian, ku perceptimi i publikut francez për Shqipërinë ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vite më parë, duke e cilësuar këtë një arritje të drejtpërdrejtë të zhvillimit të turizmit.

Një tjetër element i rëndësishëm i theksuar ishte rritja e standardeve në sektor:

  • rreth 1 mijë udhërrëfyes turistikë të certifikuar,
  • strukturat akomoduese të certifikuara,
  • sistemi i administrimit të plazheve,
  • shërbimi shëndetësor me mbi 70 mijë vizita të kryera këtë sezon,
  • dhe siguria publike, ku gjatë verës nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë kriminale.

Megjithatë, Kryeministri pranoi se sfidat mbeten të mëdha, duke përmendur ndër të parat problemet me plazhet e zaptuara dhe nevojën për menaxhim më të mirë të tyre.

“Rrugëtimi drejt Shqipërisë Turistike 2030 është një proces që kërkon standarde të reja, jo vetëm në pritjen e turistëve, por edhe në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm dhe pozitiv për vendin tonë”, përfundoi Rama.

/Motilokal.com