“O sa e mirë je ti Shqipëria ime” – Rama: Shqiptarët, ndotësit më të mëdhenj të plazheve

“O sa e mirë je ti Shqipëria ime” – Rama: Shqiptarët, ndotësit më të mëdhenj të plazheve

Kryeministri Edi Rama, gjatë një deklarate për sezonin veror turistik, foli jo vetëm për arritjet, por edhe për problemet që shoqërojnë këtë periudhë. Ai u ndal kryesisht tek menaxhimi i mbetjeve dhe ndikimi i sjelljes së qytetarëve në pastërtinë e vendit.

Sipas tij, është arritur një transformim i dukshëm në pastrimin e territorit, falë angazhimit të institucioneve dhe aksioneve në terren. Megjithatë, Rama nuk kurseu kritikat ndaj qytetarëve, duke theksuar se shumë shqiptarë, edhe pse fotografohen me krenari pranë bukurive natyrore të vendit, shpesh lënë pas tyre mbeturina.

“Shqiptarët ndalojnë në pikat turistike, bëjnë selfie me fjalët ‘O sa e bukur je, Shqipëria ime’, por pastaj shkarkojnë plehra nga makina e tyre. Në këto pika ndalimi shihen gjithmonë më shumë mbeturina. Jam i bindur se ndotësit më të mëdhenj janë ata që bërtasin në stadiume, thyejnë karrige dhe kthejnë ndeshjet në fusha përplasjeje, sidomos kur luhet me Serbinë. Të njëjtët persona, në vend që të jenë patriotë, janë ndotës të Shqipërisë në plazhe”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se menaxhimi i mbetjeve mbetet një sfidë madhore, e cila duhet të përballohet me përgjegjësi nga bashkitë, ashtu siç ndodh edhe me çështjen e furnizimit me ujë. Një tjetër problem që ai ngriti ishte zhurma në zonat bregdetare. “Në plazhe, muzika shpesh nuk shërben për të krijuar qetësi, por për të stresuar pushuesit. Tallavaja dhe tingujt e lartë të bareve bëjnë që 99.99% e njerëzve të vuajnë nga kjo situatë”, deklaroi Rama.

/Motilokal.com