Shumë njerëz jetojnë me alergji ose intoleranca pa qenë të vetëdijshëm për shkaktarin e saktë. Trupi dërgon shpesh sinjale të vogla, skuqje të lëkurës, fryrje, kollitje apo dhimbje barku të cilat shpesh neglizhohen. Megjithatë, këto simptoma mund të jenë tregues se sistemi imunitar e konsideron një substancë të zakonshme si “armike”.
Procesi i vështirë i diagnozës
Vendosja e një diagnoze të saktë nuk është gjithmonë e thjeshtë. Sipas specialistëve, ky proces mund të zgjasë deri në dy vjet dhe shpesh kërkon bashkëpunimin e disa profesionistëve: alergologut, pulmologut, nutricionistit, gastroenterologut dhe, në raste të caktuara, edhe psikologut. Kjo pasi alergjitë lidhen me faktorë të shumtë nga predispozita gjenetike deri te stili i jetesës.
Alergjitë më të shpeshta
Reaksionet më të zakonshme shfaqen pas konsumimit të peshkut, arrave (veçanërisht kikirikëve) dhe të bardhës së vezës, ushqime që mund të shkaktojnë edhe shok anafilaktik. Tek fëmijët, reagimi shpesh është i menjëhershëm dhe potencialisht i rrezikshëm, ndaj shmangia e plotë e ushqimit shkaktar është jetike.
Marshi alergjik
Shumë individë nisin që në fëmijëri me alergji të lehta, si p.sh. skuqje të lëkurës. Me kalimin e kohës, këto mund të zhvillohen në forma të tjera, si astma, alergjia ndaj polenit ose intoleranca ushqimore. Ky progres njihet si “marshi alergjik” një evolucion i alergjisë që shfaqet në faza të ndryshme të jetës.
Reagimet e kryqëzuara
Një aspekt interesant i alergjive është reagimi i kryqëzuar. Për shembull, personat alergjikë ndaj disa bimëve shpesh shfaqin reagim edhe ndaj bizeleve ose perimeve me përbërje të ngjashme. Po kështu, individët me sëmundje celiake mund të mos tolerojnë disa lloje bishtajoresh për shkak të ngjashmërisë kimike që sistemi imunitar nuk arrin ta “njohë”.
Çfarë mund të bëni?
- Mbani një ditar ushqimor për të identifikuar ushqimet problematike.
- Konsultohuni me alergolog për teste të specializuara.
- Shmangni vetë-diagnostikimin dhe trajtimin pa mbikëqyrje mjekësore.
- Informohuni për alergjitë e kryqëzuara që mund të shfaqen papritur.
/Motilokal.com


