Energjia e rinovueshme trefishohet në Shqipëri

Energjia e rinovueshme trefishohet në Shqipëri

Energjia e rinovueshme po fiton gjithnjë e më shumë terren në prodhimin vendas të energjisë. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, burimet alternative kryesisht panelet fotovoltaike prodhuan 288 GWh, mbi dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, hidrocentralet kanë prodhuar më pak energji. Hidrocentralet publike shënuan rënie prej 14%, ndërsa ato private e koncesionare rreth 15%. Si pasojë, prodhimi i përgjithshëm vendas zbriti në 1.757 GWh, nga 1.841 GWh vitin e kaluar.

Për të mbuluar kërkesën, importet u rritën me 16,5%, duke arritur në 725 GWh. Eksportet, në të kundërt, ranë në 638 GWh, duke e çuar bilancin neto të shkëmbimeve energjetike në territor negativ me -88 GWh.

Edhe konsumi vendas ka ardhur në rritje, me 3,3% më shumë se një vit më parë. Familjarët kanë konsumuar rreth 10% më shumë energji, ndërsa bizneset dhe industria kanë ulur përdorimin me rreth 3%.

Një pjesë e madhe e energjisë së prodhuar vazhdon të humbet në rrjet rreth 17% e sasisë në dispozicion. Megjithatë, kjo përqindje ka shënuar një ulje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.

/Motilokal.com