Ndërprerja e energjisë elektrike më 28 prill, që preku pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë, tregoi qartë sa i ndjeshëm mund të jetë rrjeti elektrik dhe me të, edhe e gjithë infrastruktura e lëvizshmërisë elektrike.
Por ku mund të karikohet një veturë elektrike nëse nuk ka rrymë? A është një gjenerator emergjent një alternativë reale?
Në parim, po, thotë Ralf Petri nga Shoqata Gjermane e Elektroteknikës (VDE) për Auto Bild, por me disa kufizime të rëndësishme. Shumica e gjeneratorëve emergjentë ofrojnë maksimumi 3.6 kilovatë fuqi.
Në praktikë, kapaciteti i qëndrueshëm është rreth 2 kW. Kjo do të thotë se karikimi i një baterie të madhe, si ajo prej 118 kWh në Mercedes EQS, do të zgjaste mbi 59 orë, pra gati dy ditë e gjysmë.
Për më tepër, gjeneratorët kanë konsum të lartë: mesatarisht 1.5 litra benzinë për çdo kWh energjie të prodhuar. Për një veturë elektrike me konsum mesatar prej 20 kWh për 100 kilometra, kjo nënkupton rreth 30 litra benzinë për çdo 100 km, ose afërsisht 43 euro në kosto.
Shumica e gjeneratorëve nuk janë të pajisur me katalizatorë, prandaj nuk mund të konsiderohen të përshtatshëm për mjedisin. Në gjysmë orë punë, një gjenerator siguron energji për vetëm 5 kilometra autonomi. Ata që kanë më shumë kohë në dispozicion mund të arrijnë të karikojnë mjaftueshëm për 50 kilometra brenda pesë orësh.
“Në SHBA ekzistojnë shërbime karikimi mobil, që u vijnë në ndihmë shoferëve të veturave elektrike të mbetur rrugës”, shton Petri.
Ato përdorin gjeneratorë më të mëdhenj, me fuqi të paktën 11 kW, të ngjashëm me pajisjet e karikimit që vendosen në mur (wallbox).
/Motilokal.com
