AMMK bën thirrje për masa urgjente për parandalimin e zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave në Kosovë

AMMK bën thirrje për masa urgjente për parandalimin e zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), si institucion përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, shpreh shqetësimin e thellë për rritjen e rrezikut nga shpërthimi i zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave gjatë sezonit të verës. AMMK bën thirrje urgjente për marrjen e masave të menjëhershme parandaluese nga institucionet lokale dhe të gjithë aktorët përgjegjës, në mënyrë që të shmangen dëmet e pariparueshme për shëndetin publik dhe për mjedisin.

Postimi nga AMMK:

Thirrje për Marrjen e Masave të Menjëhershme për Parandalimin e Zjarreve në Deponitë Urbane të Mbeturinave në Kosovë

Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, rreziku për shpërthimin e zjarreve në deponitë e mbeturinave është shumë i lartë. Prandaj, bëjmë apel të fuqishëm për marrjen e masave të menjëhershme parandaluese nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

Pse është kjo çështje urgjente?

Zjarret në deponi përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, siç u dëshmua edhe nga rasti i fundit i zjarrit në deponinë e Elbasanit në Shqipëri.

Kush duhet të veprojë?

• Komunat dhe autoritetet lokale

• Operatorët e menaxhimit të mbeturinave

• Veçanërisht menaxherët e deponive komunale.

Masat që kërkohen:

1. Inspektime dhe monitorim të shtuar për të identifikuar vatrat e mundshme të zjarrit.

2. Vendosja e rojeve dhe patrullimeve, sidomos gjatë orëve me rrezik të lartë (mesditë, pasdite).

3. Krijimi i brezave të pastruar përreth deponive, për të parandaluar përhapjen e flakëve.

4. Sigurimi i mjeteve për ndërhyrje të shpejtë, përfshirë ujë dhe pajisje zjarrfikëse.

5. Sensibilizimi i qytetarëve për të shmangur hedhjen e materialeve të ndezura apo të rrezikshme pranë deponive.

6. Vendosja e rezervuarëve me ujë dhe mjete profesionale brenda perimetrit të deponive.

Pasojat nga djegia e mbeturinave urbane

Dëmet për mjedisin:

• Ndotje e ajrit nga gazrat toksikë (CO₂, SO₂, NOx, PM10, PM2.5, dioksina dhe furane).

• Ndotje e ujit dhe tokës nga metalet e rënda që rrjedhin nga hiri i djegur.

• Ndikim negativ në biodiversitet.

Rreziqet për shëndetin:

• Sëmundje të frymëmarrjes (astmë, bronkit, sëmundje kronike).

• Probleme kardiovaskulare (infarkte, goditje në tru).

• Rrezik për kancer nga ekspozimi ndaj dioksinave dhe substancave kancerogjene.

• Dëme në sistemin nervor, veçanërisht tek fëmijët.

• Çrregullime hormonale dhe probleme në sistemin riprodhues.

Thirrje për qytetarët

Qytetarë të nderuar, ndihmoni në mbrojtjen e jetës dhe mjedisit!

Nëse shihni ndonjë vatër zjarri ose tym të dyshimtë afër ndonjë deponie, raportoni menjëherë duke telefonuar:

Shërbimi Zjarrfikës – 193

Qendra Operative Emergjente – 112

Raportimi i gjelbër / MMPHI – (0) 800-00013

Policia e Kosovës – 192

Së bashku mund të parandalojmë dëmet e mëdha mjedisore dhe të mbrojmë shëndetin e të gjithëve!

/Motilokal.com