Parashikohen stuhi shiu dhe erëra të forta, Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët

Parashikohen stuhi shiu dhe erëra të forta, Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca njofton qytetarët e Prishtinës se pas një periudhe të zgjatur me temperatura jashtëzakonisht të larta dhe mot të nxehtë, pritet një ndryshim i fuqishëm i kushteve atmosferike, i cili do të ndikojë edhe në vendin tonë.

Sipas parashikimeve ndërkombëtare, masa të ftohta dhe të fuqishme ajrore pritet të depërtojnë nga veriperëndimi i kontinentit, duke përfshirë fillimisht disa shtete të Evropës si: veriun e Italisë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Hungarinë, Sllovakinë, Poloninë, Ukrainën dhe Rumaninë, ku do të shënohen rrebeshe të fuqishme shiu, shkarkesa të rrezikshme rrufesh dhe erëra të forta me shpejtësi deri në 130 km/h – me potencial për pasoja serioze.

Në Kryeqytet:

E marta do të mbetet ende nën ndikimin e masave të nxehta, por pasdite pritet shtim i vranësirave dhe rrebeshe lokale shiu, rrufe dhe erëra deri në 70 km/h.

Nga e mërkura, një front i fuqishëm i ftohtë do të sjellë ulje të menjëhershme të temperaturave (deri në 20°C më pak), reshje shiu dhe mot të paqëndrueshëm.

E enjtja do të karakterizohet nga vranësira të shpeshta dhe temperatura më të ulëta se zakonisht.

E premtja vjen me stabilizim gradual të motit dhe një ngritje të lehtë të temperaturave, por ato do të mbeten nën 30°C.

Rekomandime për qytetarët e Prishtinës:

  • Qëndroni të informuar për paralajmërimet nga institucionet dhe mediat zyrtare;

  • Shmangni qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe rrufesë;

  • Siguroni objektet e jashtme që mund të dëmtohen nga era;

  • Tregoni kujdes të shtuar për të moshuarit dhe fëmijët gjatë ndryshimeve të papritura të motit;

  • Mos parkoni automjetet nën pemë apo objekte të rrezikshme.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca është në gatishmëri dhe në koordinim me të gjitha shërbimet e reagimit për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve. Do të vazhdojmë t’ju informojmë në kohë reale për çdo zhvillim.

/Motilokal.com