Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka njoftuar se situata me zjarret në territorin e Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e temperaturave të larta dhe erërave të forta që po mbizotërojnë në vend.
Sipas të dhënave zyrtare të kësaj agjencie, vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 66 raste të zjarreve, ndërsa 57 prej tyre janë shënuar gjatë pasdites së sotme. Ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë me efikasitet, duke arritur të lokalizojnë dhe shuajnë shumicën e tyre.
Aktualisht mbeten aktive 8 vatra zjarri në këto komuna: Pejë, Lipjan, Shtime, Malishevë, Skenderaj, Istog, Ferizaj dhe Gjilan.
Autoritetet bëjnë të ditur se disa nga këto zjarre kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha të tokës dhe pyjeve, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve. Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren me kapacitete të plota, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe strukturat lokale të emergjencës.
Agjencia për Menaxhimin Emergjent apelon për vigjilencë maksimale nga qytetarët, duke i kërkuar:
- Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në ambiente të hapura.
- Të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193 apo 192.
- Të njoftojnë autoritetet në rast se dyshojnë për ndonjë person që mund të jetë përgjegjës për ndezjen e qëllimshme të zjarreve.
Agjencia thekson se rreziku nga zjarret mbetet i lartë, ndërsa garanton se situata po monitorohet në vazhdimësi dhe publiku do të informohet rregullisht me të dhëna të përditësuara.
/Motilokal.com
