Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar një njoftim me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, në veçanti punëtorëve, për masat mbrojtëse ndaj rreziqeve shëndetësore që shkaktohen nga ekspozimi në temperatura të larta gjatë stinës së verës.
Sipas IKSHPK-së, temperaturat ekstreme ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, sidomos tek grupet më të ndjeshme të popullatës, përfshirë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe punëtorët që janë të ekspozuar ndaj rrezikut të nxehtësisë së lartë në ambientet e punës.
Rreziku është i lartë për personat që punojnë në ambiente të jashtme si në bujqësi, pylltari, ndërtimtari, pastrim dhe mirëmbajtje të parqeve apo rrugëve, si dhe për punonjësit e shërbimeve emergjente. Edhe punëtorët që veprojnë në ambiente të brendshme nuk përjashtohen, veçanërisht ata që punojnë në industri me burime të nxehtësisë, në kabina pa sistem ftohjeje (siç janë vinçat), apo që kryejnë punë fizike të rëndë nën pajisje mbrojtëse.
IKSHPK rikujton se për përcaktimin e kohës së lejuar për punë në kushte të tilla, duhet të respektohet Rregullorja e MPMS Nr. 01/2020 për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës (faqet 41 dhe 42), e cila është e qasshme në vegëzën zyrtare: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10181
Gjithashtu, për informata të hollësishme mbi masat mbrojtëse rekomandohet “Nxehtësia në punë – Udhëzues për vendet e punës”, në këtë link: https://mfpt.rks-gov.net/.../b46f1215-2a3c-43b9-8153...
Ekspozimi i zgjatur në rrezet e diellit mund të shkaktojë shqetësime serioze shëndetësore si: prishje të komfortit, djersitje të tepruar, skuqje dhe djegie të lëkurës, goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit, ngërçe muskulore, vjellje, barkqitje, si dhe komplikime të sistemit kardiovaskular, pulmonar, deri te insuficienca renale dhe goditje në tru.
IKSHPK apelon për kujdes të shtuar dhe respektim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit, duke e konsideruar sigurinë në vendin e punës si një prioritet gjatë gjithë periudhës së verës.
/Motilokal.com
