Rënie alarmante e rrjedhave në lumenjtë e Kosovës – IHMK: Rrezik për ujë të pijshëm dhe bujqësi

Rënie alarmante e rrjedhave në lumenjtë e Kosovës – IHMK: Rrezik për ujë të pijshëm dhe bujqësi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se lumenjtë në territorin e vendit po shënojnë rrjedha dukshëm më të ulëta se mesatarja shumëvjeçare, për shkak të mungesës së reshjeve gjatë pranverës dhe borës gjatë dimrit.

Sipas matjeve më të fundit nga rrjeti shtetëror hidrometrik, kjo situatë është veçanërisht e theksuar në pellgun e Drinit të Bardhë dhe degët e tij, ku si shembull konkret përmendet lumi Bistrica e Pejës. Edhe pse kanë rënë reshje në periudha të caktuara, ato kanë qenë kryesisht të karakterit lokal dhe me intensitet të lartë, pa ndikuar në mënyrë domethënëse në mbushjen e burimeve ujore.

IHMK thekson se kjo gjendje e rrjedhave të ulëta është prezente në shumicën e lumenjve të Kosovës, por është më kritike në sistemin e Drinit të Bardhë. Vetëm lumi Bistrica e Pejës, me një sipërfaqe nën-pellgu prej 500 km², përfshin 11.5% të sipërfaqes së përgjithshme të këtij pellgu dhe kontribuon me 13.7% në rrjedhën e tij totale.

Të dhënat hidrologjike të pesë viteve të fundit tregojnë për anomali të theksuara në rrjedhën e këtij lumi, sidomos gjatë muajve të pranverës, kur zakonisht prurjet janë më të larta për shkak të shkrirjes së borës dhe reshjeve sezonale.

Sipas statistikave historike (1963–2009), prurja mesatare e Bistricës në muajin maj ishte 17.5 m³/s, ndërsa në qershor 7.5 m³/s. Por në periudhën 2021–2025, mesatarja për muajin qershor ka rënë në vetëm 4.8 m³/s – një rënie prej 56.3% krahasuar me të dhënat historike.

Instituti paralajmëron se kjo rënie e prurjeve dhe niveleve të ujërave nëntokësore mund të ketë pasoja serioze gjatë verës, përfshirë kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm, ndikime në bujqësi, prodhimin e energjisë nga hidrocentralet dhe sektorë të tjerë jetikë.

Për këtë arsye, IHMK apelon për monitorim të vazhdueshëm dhe planifikim të kujdesshëm të burimeve ujore, me qëllim zbutjen e efekteve të mundshme të një thatësire hidrologjike të thelluar që mund të prekë vendin në muajt në vijim.


/Motilokal.com