Pijet në shishe qelqi përmbajnë më shumë mikroplastikë sesa ato në plastikë

Pijet në shishe qelqi përmbajnë më shumë mikroplastikë sesa ato në plastikë

Një ekip shkencëtarësh nga agjencia shtetërore franceze e ushqimit zbuloi se disa pije në shishe qelqi përmbajnë më shumë mikroplastikë sesa pijet në enë të tjera të bëra nga materiale të tjera, përfshirë shishet plastike. Shkencëtarët arritën në "zbulimin e habitshëm" falë testeve të kryera nga Laboratori Shtetëror ANSES për Sigurinë Ushqimore. Fajtori kryesor për një rezultat kaq të papritur është ngjyra nga kapakët e shisheve.

"Niveli i mikroplastikës u gjet më i lartë në shishet e qelqit sesa në shishet e tjera të ngjashme", thanë ata, duke shtuar se shishet e qelqit të kola-s, limonadës, çajit të ftohtë dhe birrës përmbanin të paktën pesë herë më shumë sasi të këtyre grimcave të vogla sesa shishet ose kanaçet plastike.

"Ne prisnim pikërisht rezultatin e kundërt kur bëmë teste për të krahasuar sasinë e mikroplastikës në lloje të ndryshme të pijeve të shitura në Francë", tha Iseline Chaïb nga Departamenti i Sigurisë së Lëngjeve në Boulogne-sur-Mer, e cila udhëhoqi studimin në laboratorin e sigurisë ushqimore të ANSES.

Qëllimi i shkencëtarëve ishte të përcaktonin nivelin e "kontaminimit mikroplastik" në pije dhe të vlerësonin ndikimin e llojit të enës ose shishes në sasinë e kontaminimit. Ekipi i hulumtimit tha se nuk kishin studiuar "të dhënat referuese toksikologjike", që do të thotë se nuk ishin në gjendje të përcaktonin rrezikun shëndetësor që lidhet me sasinë e plastikës së gjetur në shishe. Por ata i këshilluan konsumatorët të përpiqeshin të zvogëlonin sasinë e plastikës që depërton në pije dhe pije të gazuara duke i shpëlarë kapakët para se t'i vendosnin përsëri në shishe.

Ata thanë gjithashtu se gjatë hulumtimit të tyre gjetën të dhëna që tregonin se mikroplastikat që zbuluan në pije dhe lëngje ishin "kryesisht të së njëjtës ngjyrë dhe përbërje si boja në kapakë".

"Dyshonim se tapat mund të ishin burimi kryesor i ndotjes, sepse shumica e grimcave të izoluara në pije ishin identike me ngjyrën e tapave dhe kishin të njëjtën përbërje që zbuluam në to", shpjeguan ekspertët nga ANSES.

/Motilokal.com