Sot, më 21 qershor, në orën 04:42, filloi edhe zyrtarisht stina më e nxehtë dhe dita më e gjatë e vitit. Me një gjatësi prej plot 15 orë e 37 minuta, kjo ditë njihet si Solstici Veror, një moment kyç në rrugëtimin vjetor të Tokës rreth Diellit.
Vera do të zgjasë deri më 22 shtator, kur fillon vjeshta dhe ditët nisin të shkurtohen. Ndryshe nga bindjet e zakonshme, Toka në këtë ditë nuk është më afër Diellit, por përkundrazi, më së largu nga ai. Megjithatë, për hemisferën veriore, ku bëjnë pjesë Shqipëria dhe Kosova, kjo është dita kur boshti i Tokës është më i anuar drejt Diellit, duke sjellë më shumë dritë dhe ngrohtësi.
Në të njëjtën kohë, për banorët e hemisferës jugore fillon stina e dimrit, jo për shkak të largësisë nga Dielli, por sepse Dielli ngrihet më pak në qiell dhe dita është më e shkurtër faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në temperaturat e ulëta.
Këto ndryshime janë pjesë e një cikli të pandalshëm që përcaktohet nga orbita vjetore e Tokës rreth Diellit, e cila sjell katër pika kryesore: ekuinoksin e pranverës (20/21 mars), solsticin e verës (20/21 qershor), ekuinoksin e vjeshtës (22/23 shtator) dhe solsticin e dimrit (21/22 dhjetor) të gjitha me ndikim të ndryshëm sipas hemisferës.
/Motilokal.com
