Temperaturat e larta dhe dielli përvëlues i verës mund të shndërrojnë shumë ushqime në burim rreziku për shëndetin. Disa prej tyre prishen shpejt dhe humbasin vlerat ushqyese, duke u bërë të papërdorshme ose edhe të dëmshme për organizmin. Prandaj, është e rëndësishme të zgjidhni me kujdes se çfarë merrni me vete kur shkoni në plazh.
Çfarë të shmangni?
Janë të shumta ushqimet që nuk rekomandohen të konsumohen në plazh, sidomos ato që kërkojnë ruajtje në temperatura të ulëta. Nëse lihen në çanta frigoriferike pranë çadrave dhe ekspozohen ndaj nxehtësisë për një kohë të gjatë, ato humbasin freskinë, shijen dhe mund të shkaktojnë shqetësime në tretje.
Këtu janë disa nga ushqimet që duhen shmangur:
- Djathi dhe produktet e qumështit
- Sallamet, salsiçet dhe mishrat e përpunuar
- Vezët dhe ushqimet me bazë veze
- Patatet e skuqura
- Biskotat me krem
- Majonezë dhe salcat e yndyrshme
- Ëmbëlsirat industriale
Ushqimet e rekomanduara
Në vend të tyre, zgjidhni ushqime të lehta dhe të freskëta që ndihmojnë në hidratim dhe nuk rëndojnë stomakun. Më të përshtatshmet janë:
- Frutat e freskëta (si shalqiri, pjepri, pjeshka, rrushi)
- Sallatat mikse me përbërës të thjeshtë
- Pak bukë integrale
- Një akullore e lehtë dhe në sasi të moderuar
Disa këshilla të vlefshme
- Mos merrni shumë ushqim me vete – qëllimi është të qëndroni të lehtë, jo të ndiheni të rënduar.
- Nëse konsumoni drekë në plazh, mjafton një pjatë e lehtë me përbërës natyralë për të shmangur ndjesinë e lodhjes apo djegieve në stomak.
- Pijet e gazuara si Kola apo uji me gaz duhen shmangur, pasi shkaktojnë fryrje barku dhe ndjesi shqetësuese gjatë ditës.
- Edhe përtypja e çamçakëzit nuk rekomandohet, sepse ndihmon në grumbullimin e ajrit në organizëm, duke shkaktuar fryrje.
Kujdes me ushqimet për fëmijë
Fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj ushqimeve të pashëndetshme. Shmangni produktet e skuqura dhe ëmbëlsirat industriale. Një tas me drithëra të thjeshta ose fruta është një alternativë shumë më e mirë për t’i mbajtur të lehtë dhe pa probleme me barkun.
/Motilokal.com
