Metani, një gaz serrë që bllokon nxehtësinë, është ndoshta më i njohur për rreziqet e tij për njerëzit dhe atmosferën e Tokës. Por në thellësitë e errëta të oqeanit është një vakt ushqyes për disa nga krijesat më misterioze në botë.
Shkencëtarët pretendojnë se kanë gjetur tre lloje merimangash të panjohura më parë në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto lloje ushqehen me metan që depërton disa mijëra metra nën sipërfaqen e detit.
Siç është përcaktuar nga hulumtimi, rezultatet e të cilit u botuan në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences, bakteret janë në ekzoskeletin e këtyre merimangave, ndërsa mikrobet nga ana tjetër e shndërrojnë metanin, përndryshe të pasur me karbon, dhe oksigjenin në sheqerna që merimangat mund t’i hanë.
"Ashtu siç do të hanit vezë për mëngjes, merimangat e detit kruajnë sipërfaqen e trupit të tyre dhe hanë të gjitha këto baktere për t'u ushqyer", tha Shana Goffredi, studiuesja kryesore e studimit dhe profesoreshë e biologjisë në Kolegjin Occidental në Los Angeles.
Ajo theksoi se ky lloj diete nuk është vërejtur kurrë më parë te merimangat e detit. Në fakt, siç shpjegoi Goffredi, specie të tjera të merimangave të detit kanë më shumë të përbashkëta me kushërinjtë e tyre të tokës, duke përdorur dhëmbë të mëdhenj tubularë për të kapur, paaftësuar dhe thithur lëngje nga preja e butë, siç është meduza.
Megjithatë, speciet e zbuluara rishtazi të merimangave të detit nuk kanë atë që u nevojitet për të kapur prenë, kështu që ato ushqehen me metan nga trupat e tyre. Goffredi theksoi se është e mundur që këto merimanga luajnë një rol kyç në parandalimin e arritjes së metanit në atmosferën e Tokës. Vlen të kujtojmë se metani është një nga shkaqet e ngrohjes globale, shkruan CNN.
/Motilokal.com
