Agjencia për Menaxhim Emergjent me thirrje për qytetarët: Mos ndizni zjarre!

Agjencia për Menaxhim Emergjent me thirrje për qytetarët: Mos ndizni zjarre!

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka lëshuar sot një thirrje publike për kujdes të shtuar gjatë muajve të verës, kur rreziku për shpërthim të zjarreve në pyje, fusha dhe hapësira të hapura është tejet i lartë për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësisë.

“Mos ndizni zjarr!” është apeli i drejtpërdrejtë i AME drejtuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Zjarret jo vetëm që shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe ndotin ajrin, por përbëjnë rrezik serioz për jetën e njerëzve, pronën publike dhe private, si dhe për natyrën që na rrethon”, thuhet në njoftim.

Zjarrvënia është vepër penale, pasohet me ndëshkim!

Agjencia rikujton se çdo zjarr i shkaktuar qëllimisht apo nga pakujdesia përbën vepër penale, dhe se personat përgjegjës do të përballen me ndjekje ligjore dhe masa ndëshkuese, sipas legjislacionit në fuqi.

Në rast zjarri, veproni menjëherë, thirrni 112, 193 ose 192

AME u bën thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo zjarr, dyshim për zjarrvënie të qëllimshme, apo praninë e tymit/flakëve në zona të hapura. Ndihma emergjente është falas dhe në dispozicion 24/7 përmes këtyre numrave:

  • Qendra Operative Emergjente – 112
  • Shërbimi Zjarrfikës – 193
  • Policia e Kosovës – 192

Bashkë për sigurinë, jetën dhe mjedisin!

Agjencia përfundon thirrjen me theksin se çdo qytetar ka rol në parandalimin e zjarreve. Veprimi i shpejtë mund të shpëtojë jetë, të parandalojë dëme të mëdha dhe të mbrojë mjedisin.

/Motilokal.com