Si "pyjet vertikale" mund ta transformojnë jetën në qytet dhe të na bëjnë më të lumtur

Si "pyjet vertikale" mund ta transformojnë jetën në qytet dhe të na bëjnë më të lumtur

Dhjetë vjet më parë, arkitekti italian Stefano Boeri prezantoi një vizion arkitektonik inovativ që ndryshoi fytyrën e ndërtimit të qytetit: Bosco Verticale, " pylli vertikal" i parë në botë, në Milanon veriore.

Dy kulla të mbuluara me më shumë se 20,000 bimë , pemë dhe shkurre u bënë jo vetëm një pikë referimi në dizajnin e qëndrueshëm, por edhe një provë e gjallë se natyra mund të integrohet funksionalisht në strukturën urbane.

Projekti, i cili mirëmbahet nga "kopshtarë fluturues" të specializuar, e ftoh mjedisin deri në tre gradë falë gjetheve që filtrojnë dritën dhe lëshojnë lagështi. Dhjetëvjetori u shënua me botimin e një libri të dedikuar nga firma arkitekturore e Boerit, i cili nxjerr në pah filozofinë që qëndron pas projektit dhe ndikimin e tij në qasjen moderne të dizajnit.

Si frymëzoi një revolucion global të arkitekturës së gjelbër

Nga Dubai në Denver dhe nga Antwerp në Afrikë, shembuj të frymëzuar nga Bosco Verticale po shfaqen me një ritëm të shpejtë. Tani, edhe projektet e strehimit social, siç është Pylli Vertikal Trudo në Holandë, vërtetojnë se arkitektura biofilike nuk është një luks, por një mundësi e realizueshme, madje edhe për shtresat më të kufizuara ekonomike.

Dizajni biofilik, integrimi i natyrës në ndërtesa është provuar se përmirëson jo vetëm mikroklimën e qyteteve, por edhe mirëqenien njerëzore. Studimet tregojnë nivele të reduktuara të ankthit dhe depresionit në lagjet e gjelbra, ndërsa prania e bimëve në vendet e punës rrit kënaqësinë, përmirëson cilësinë e ajrit dhe zvogëlon problemet shëndetësore.

Në të njëjtën kohë, arkitektë si Vincent Callebaut po shkojnë edhe më tej, me ndërtesa që përfshijnë serra, koshere bletësh, të mbjella në çati dhe praktika të menaxhimit të ujit, duke i shndërruar banorët në “kopshtarë urbanë” dhe duke forcuar kohezionin social.

Arkitektura e gjelbër tani po hyn edhe në spitale, të tilla si Hospiwood 21 në Belgjikë dhe Policlinico e re në Milano, duke përmirësuar shëndetin mendor dhe rehabilitimin e pacientëve përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me mjedisin natyror.

Nga kopshtet tropikale të brendshme të Aeroportit Changi në Singapor te pylli në çati i Depot në Roterdam dhe “rrokaqielli i ADN-së” Tao Zhu Yin Yuan në Taipei, “kopshtet e banuara” po fitojnë terren si një përgjigje e qëndrueshme dhe terapeutike ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike dhe shëndetit mendor.

Fjalia e fundit e vetë Boerit përmbledh mesazhin: "Natyra e gjallë duhet të kthehet për të banuar në hapësirat e destinuara për njerëzit. Asgjë më shumë, asgjë më pak."

/Motilokal.com