Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat mujore për “Statistikat e Energjisë” për muajin prill 2025, duke shënuar një rritje të konsiderueshme në konsumin e energjisë elektrike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në prill 2025 arriti në 436.33 GWh, që përfaqëson një rritje prej 15.69% në krahasim me prillin 2024. Rritja më e theksuar është regjistruar në sektorin e amvisërive me 20.01% më shumë konsum, dhe në sektorin komercial me një rritje prej 17.34%.
Energjia bruto në dispozicion gjatë këtij muaji ishte 568.03 GWh, ndërsa burimet alternative kontribuuan me 19.22% në këtë total.

Importi i energjisë elektrike u rrit në mënyrë të ndjeshme, duke arritur në 377.08 GWh, një rritje prej 82.19%, ndërkohë që eksporti ra në 214.75 GWh, një rënie prej 24.56%.
Në aspektin e prodhimit, termocentralet shënuan një rënie të madhe me -39.69%, ndërsa prodhimi nga hidrocentralet u rrit me 33.59%, dhe ai nga burimet e erës dhe solare me 13.88%.

Prodhimi i thëngjillit gjatë muajit prill ishte 685.19 mijë ton, që përfaqëson një rënie të lehtë prej 0.52% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Këto të dhëna nënvizojnë një varësi në rritje nga importi i energjisë, ndërkohë që energjia alternative vazhdon të mbetet një komponent kyç në strukturën energjetike të Kosovës.
/Motilokal.com
