Vapa - Rreziku i fshehtë i verës për diabetikët: Këshillat e Dr. Ardiana Perjuci-Begolli

Vapa - Rreziku i fshehtë i verës për diabetikët: Këshillat e Dr. Ardiana Perjuci-Begolli

Tashmë ka filluar sezoni i verës dhe shumë njerëz tashmë i kanë planifikuar pushimet. Por, ata duhet gjithsesi ta dinë se temperaturat e larta, ekspozimi në diell dhe aktivitetet e shtuara fizike mund t’u sjellin rreziqe të veçanta, në veçanti personat me diabet. Nxehtësia ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në organizëm, duke shkaktuar dehidrim, luhatje të nivelit të sheqerit në gjak dhe ulje të efikasitetit të insulinës, sidomos nëse nuk merren masat e duhura.

Për këtë arsye, gjatë stinës së verës, kujdesi për gjendjen shëndetësore bëhet edhe më i rëndësishëm. Në këtë intervistë me dr. Ardiana Perjuci-Begolli, interniste-endokrinologe, do të flasim për ndikimin e temperaturave të larta te personat me diabet, sfidat që i sjellin pushimet verore dhe masat praktike që duhen ndërmarrë për të kaluar një verë të sigurt dhe pa komplikime.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Çfarë është diabeti?

Diabeti apo sëmundja e sheqerit është një çrregullim metabolik që karakterizohet me rritje të nivelit të sheqerit në gjak si pasojë e mungesës së plotë apo të pjesshme të insulinës, rezistencës së veprimit të insulinës apo kombinimit të këtyre dy faktorëve e që kjo çon në çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, proteinave, yndyrave dhe dëmtim gradual të të gjitha indeve. Diabeti është i përhapur në tërë botën dhe prek të gjitha moshat dhe përafërsisht i prek njëjtë të dy gjinitë. Ka tendencë të rritjes në mosha të reja si pasojë e përdorimit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe jetës jo-aktive e që këta faktorë po e çojnë rininë nga obeziteti. Mbi 400 milion njerëz në botë vuajnë nga diabeti dhe pritet që ky numër të rritet mbi 600 milion pas 20 viteve. Edhe në Kosovë ka rritje të sëmundjes së diabetit. 

Si ndikon moti i nxehtë tek pacientët me diabet? 

Pacienti me diabet si dhe çdo pacient tjetër me sëmundje kronike është i rrezikuar në ditët e nxehta të verës, sidomos nëse nuk është i informuar mjaftueshëm, apo nuk është i kujdesshëm me mënyrën se si ushqehet dhe si e mban trupin e hidratuar. Temperaturat e larta mund të shkaktojnë disa reaksione specifike në organizëm, sidomos tek ata që trajtohen me insulinë.

A mund t’na tregoni se si ndikon ekspozimi ndaj diellit dhe temperaturave të larta në nivelet e sheqerit në gjak dhe cilat masa duhet të marrin pacientët për të menaxhuar këto ndryshime?

Ekspozimi ndaj diellit dhe temperaturave të larta, si dhe aktiviteti i shtuar fizik gjatë pushimeve verore, si noti apo shëtitjet, nxisin djersitje dhe dehidrim të shtuar. Diabetikët kanë predispozitë më të madhe për t’u dehidratuar sesa popullata e shëndoshë, dhe si pasojë e këtij procesi shpesh vjen deri te rritja e vlerave të glikemisë. Nga ana tjetër, nivelet e larta të glukozës në gjak e përkeqësojnë më tepër dehidratimin për shkak të urinimit të shpeshtë.

Dehidrimi për një kohë të gjatë, i shkaktuar nga temperaturat e larta, ka mjaft efekte negative në organizëm, mund t’i dëmtojë veshkat, të cilat edhe ashtu, tek pacientët me diabet, janë të ndjeshme. Njëkohësisht ndikon në zvogëlimin e absorbimit dhe veprimit të barnave duke ndikuar që të rriten vlerat e glikemisë.

Temperaturat e larta ndikojnë edhe në çrregullimin hormonal. Për shembull, stresi i shkaktuar nga nxehtësia nxit prodhimin e hormoneve si adrenalina dhe kortizoli, të cilat e kundërshtojnë veprimin e insulinës, duke shkaktuar rritje të nivelit të glikemisë. Po ashtu, të nxehtit mund ta dëmtojë insulinën, duke ulur efikasitetin e saj dhe duke kontribuar në ngritjen e mëtejshme të vlerave të glukozës në gjak. Gjatë verës, vendet e injektimit të insulinës mund të infektohen më lehtë për shkak të djersitjes së shtuar, prandaj rekomandohet që insulina të mos injektohet në pjesët e ekspozuara të trupit ndaj diellit.

Në anën tjetër, aktiviteti fizik i shtuar gjatë temperaturave të larta mund të ndikojë edhe në rënien e vlerave të glikemisë (hipoglikemi), veçanërisht te personat që përdorin insulinë ose barna për uljen e sheqerit në gjak, prandaj është e rëndësishme që ata ta monitorojnë rregullisht glikeminë dhe të kenë gjithmonë me vete burime të shpejta të sheqerit.

Masat që duhet të ndërmerren për t’i parandaluar këto komplikime përfshijnë: monitorimin e rregullt të glikemisë gjatë ditës (3-4 herë në ditë), përshtatjen e dozave të insulinës dhe terapisë orale sipas nevojës, si dhe marrjen e masave ushqimore dhe hidratuese. Rekomandohet të konsumohet sa më shumë ujë dhe lëngje pa sheqer e pa kafeinë, të konsumohen perime dhe fruta të freskëta, si dhe të merren vakte të vogla deri në 5 herë në ditë. Përdorimi i alkoolit duhet të shmanget, pasi kontribuon në dehidrim dhe mund të ndërhyjë në kontrollin e glikemisë.

Çfarë rekomandimesh keni për aktivitetet fizike në ambiente të hapura për pacientët me diabet gjatë verës?

Gjatë verës, pacientëve me diabet u rekomandohet të kryejnë aktivitet fizik në mjedise të freskëta, në orët e para të mëngjesit ose në orët e vona të pasdites, nën hijen e pemëve ose në ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar. Para fillimit të aktivitetit fizik, është e rëndësishme të matet niveli i glikemisë dhe të konsumohet ujë për të shmangur dehidratimin.

Çfarë përgatitjesh duhet të bëjnë pacientët me diabet para se të shkojnë në pushimet verore, veçanërisht në vende me klimë të nxehtë?

Para nisjes për pushime verore, veçanërisht në vende me klimë të nxehtë, pacientët me diabet duhet të sigurojnë terapinë e nevojshme, glukometrin dhe shiritat për matjen e glikemisë. Barnat, insulina dhe pompat e insulinës duhet të ruhen në vende të freskëta dhe të thata, pasi temperaturat e larta dhe ekspozimi direkt në diell ose në ambiente të nxehta, si brenda makinës, mund t’i dëmtojnë ato.

Të nxehtit mund ta dëmtojë insulinën nëse nuk ruhet në mënyrë adekuate, prandaj është e rëndësishme të përdoren pajisje ftohëse gjatë udhëtimeve.

Si mund të ndikojë ndryshimi i zakoneve ditore dhe aktiviteteve gjatë pushimeve verore në menaxhimin e diabetit?

Sa më shumë të jetë e mundur! Rekomandohet që të respektohet regjimi i zakonshëm ditor, pasi gjatë pushimeve verore ndryshimet në stilin e jetesës mund të çojnë në luhatje të vlerave të glikemisë. Kjo mund ta përkeqësojë gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe të shkaktojë komplikime. Megjithatë, vera paraqet gjithashtu një mundësi të mirë për humbje në peshë për shkak të aktivitetit fizik të shtuar, çka ndihmon në normalizimin e vlerave të glikemisë dhe uljen e HbA1c-së.

Çka duhet të kenë në konsideratë pacientët me diabet kur udhëtojnë në vende me kushte të ndryshme klimaterike, sidomos në plazhe të nxehta?

  • Parandalojeni goditjen nga i nxehti: Shmangni qëndrimin jashtë në intervalin kohor 11:00–16:00.
  • Rehidrimi: Konsumoni deri në 3 litra lëngje në ditë (ujë dhe pije pa sheqer e pa kafeinë).
  • Shmangeni alkoolin, pijet energjike dhe ato të gazuara.
  • Terapinë përdoreni rregullisht, pavarësisht ndryshimeve në aktivitet gjatë ditës.
  • Monitorojeni glikeminë deri në 4 herë në ditë.
  • Parandalojeni hipoglikeminë: Mbani me vete fruta, biskota apo burime të tjera të shpejta të karbohidrateve.
  • Keni kujdes nga djegiet nga dielli: Lëkura e djegur formon plagë që vështirë mbyllen, veçanërisht te pacientët me diabet. Përdorni krem mbrojtës kundër diellit, kapelë, syze dielli dhe veshje me ngjyrë të çelët.
  • Mos ecni zbathur në rërë: Tek personat me neuropati diabetike, ndjeshmëria e shputave është e zvogëluar, mund të mos e ndieni djegien nga rëra e nxehtë apo ndonjë dëmtim nga objekte të mprehta.

Cilat janë disa këshilla të rëndësishme për menaxhimin e stresit për pacientët me diabet gjatë pushimeve verore?

Menaxhimi i stresit është shumë i rëndësishëm për pacientët me diabet, pasi pushimet verore shpesh sjellin ndryshime në rutinë, pritshmëri të larta dhe ngarkesa emocionale, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe nivelet e glikemisë.

Këshilla praktike për menaxhimin e stresit përfshijnë:

  • Ushqehuni shëndetshëm dhe ndiqni rregullisht terapinë e përshkruar.
  • Flini mjaftueshëm dhe ruani një orar të qëndrueshëm gjumi.
  • Praktikojini disa teknika relaksimi si: frymëmarrja e thellë, meditimi, ecja në natyrë apo noti.
  • Kufizojeni stërngarkesën sociale.
  • Konsultohuni paraprakisht me mjekun endokrinolog për të bërë çdo përshtatje të nevojshme në terapi.

Mos lejoni që diabeti t’jua prishë pushimin veror, por gjithashtu, mos lejoni që pushimi veror t’jua çrregullojë glikeminë apo t’jua përkeqësojë gjendjen shëndetësore.

/Motilokal.com