Si të kujdesemi për shëndetin në ditët e nxehta të verës

Si të kujdesemi për shëndetin në ditët e nxehta të verës

Gjatë ditëve të nxehta të verës, organizmi i njeriut përballet me sfida të mëdha për të ruajtur temperaturën e brendshme të trupit. Mekanizmi më i rëndësishëm për këtë është djersitja, e cila ndihmon në ftohjen natyrale të trupit. Mirëpo, për të qenë efektiv ky proces, trupi ka nevojë të vazhdueshme për ujë dhe lëngje.

Çfarë ndodh me trupin në ditët me temperaturë të lartë?

Kur temperaturat e ambientit janë shumë më të larta se ato të trupit dhe mungojnë kushtet për freski, rreziku për mbinxehje rritet ndjeshëm. Djersitja është mekanizmi më efikas për të larguar nxehtësinë e tepërt, por disa faktorë mund të pengojnë këtë proces:

  • Mosha (fëmijët dhe të moshuarit janë më të ndjeshëm)
  • Mungesa e lëngjeve (dehidratimi)
  • Mungesa e erës ose lagështia e lartë
  • Veshjet e papërshtatshme
  • Sëmundjet kronike dhe përdorimi i disa medikamenteve

Këta faktorë e reduktojnë aftësinë e trupit për të djersitur dhe rrisin rrezikun për mbinxehje.

Si të kujdesemi?

Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë rekomandon që në ditët e nxehta:

  • Të qëndrojmë të freskët dhe të hidratuar rregullisht.
  • Të shmangim qëndrimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
  • Të përdorim veshje të lehta dhe të ajrosshme.
  • Të konsumojmë ujë dhe lëngje natyrale, edhe nëse nuk kemi ndjesi etjeje.

Djersitja është mënyra më natyrale për të mbrojtur shëndetin nga mbinxehja, por për të funksionuar siç duhet, është thelbësore të kujdesemi për hidratimin dhe ambientin ku qëndrojmë.

/Motilokal.com