Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit, mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.
Në fjalën e saj, Kumbaro theksoi se “Shqipëria ka dëshmuar qartë orientimin drejt zhvillimit të vetmes industri që nuk ndot turizmit, duke kaluar nga një turizëm masiv në një turizëm cilësor. Detet e hapura përbëjnë rreth 64% të sipërfaqes së oqeaneve dhe përfshijnë ekosisteme të jashtëzakonshme”.
Ajo shtoi se marrëveshja përcakton një kornizë të qartë ligjore në përputhje me dimensionet dhe karakteristikat bregdetare të çdo vendi. “Ashtu siç kemi mbrojtur territorin tokësor lumenjtë, pyjet dhe zonat e mbrojtura që përfshijnë mbi 21.5% të territorit shqiptar është koha që të zgjerojmë mbrojtjen edhe për ekosistemet detare, përfshirë Parkun Detar të Porto Palermos, si ndër më të rejat në vend”, theksoi Kumbaro.
Ministrja shpjegoi gjithashtu rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për Shqipërinë: “Së pari, ajo ofron një kornizë bashkëpunimi për të mbushur boshllëqet ekzistuese në Konventën për të Drejtën e Detit, për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së zonave detare dhe për të vlerësuar ndikimet mjedisore të aktiviteteve që zhvillohen në këto hapësira. Ajo përfshin edhe dispozita mbi ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve gjenetike detare, si dhe detyrime konkrete për shtetet në trajtimin e këtyre çështjeve”.
Kumbaro nënvizoi se Shqipëria do të përfitojë drejtpërdrejt nga kjo marrëveshje, përmes ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve kombëtare, si dhe përmes transferimit të teknologjisë detare.
“Jemi në një fazë të rëndësishme të negociatave me Bashkimin Evropian. Një nga kapitujt më të vështirë dhe më të kushtueshëm kapitulli 27 mbi mjedisin tashmë është hapur dhe po ecën përpara. Kjo marrëveshje është pjesë e përmbushjes së detyrimeve në kuadër të këtij kapitulli dhe me miratimin e saj, Shqipëria do të prezantohet javën e ardhshme në Francë, në organizmin më të madh ndërkombëtar për mbrojtjen e zonave detare dhe oqeanike të mbrojtura”, deklaroi ajo.
Në fund, ministrja Kumbaro i bëri thirrje deputetëve që të miratojnë projektligjin, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për integrimin evropian dhe mbrojtjen e mjedisit detar të vendit.
/Motilokal.com
