
Për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga mosshlyerja e borxheve nga ana e qytetarëve dhe sidomos nga mospagesa e detyrimeve nga Komuna e Prishtinës, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. njofton se është detyruar të ndërpresë përkohësisht shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.
Në njoftim thuhet se: “Pavarësisht kërkesave dhe paralajmërimeve tona të vazhdueshme, Komuna e Prishtinës nuk ka përmbushur obligimet financiare për më shumë se pesë muaj, duke akumuluar borxhe në vlerë prej 2.7 milionë euro. Si pasojë, kompania nuk është më në gjendje të përballojë kostot operative, gjë që e pamundëson vazhdimin e shërbimeve në mënyrë të rregullt.”
“Pastrimi” SH.A. i bën thirrje Komunës së Prishtinës të veprojë menjëherë për shlyerjen e detyrimeve financiare dhe të rikthejë bashkëpunimin institucional, me qëllim garantimin e shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit.
/Motilokal.com