Vera e vitit të kaluar ishte më e nxehta në Hemisferën Veriore të regjistruar, me valë të zgjatura të të nxehtit në Amerikën e Veriut dhe Evropën Jugore që shkaktuan zjarre katastrofike dhe një numër të lartë të vdekjeve.
Korriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa temperaturat e gushtit ishin gjithashtu 1.5 gradë Celsius më të larta se në periudhën para-industriale.
Climate Central studioi temperaturat në 180 vende dhe 22 territore dhe zbuloi se 98 për qind e popullsisë së botës ishte e ekspozuar ndaj temperaturave më të larta, kryesisht si rezultat i ndotjes me dioksid karboni.
"Fjalë për fjalë askush në Tokë nuk i ka shpëtuar ndikimit të ngrohjes globale", tha Andrew Pershing, nënkryetar i Climate Central.
Valët e të nxehtit si rezultat i ndryshimeve klimatike
“Në çdo vend që ishim në gjendje të analizonim, duke përfshirë Hemisferën Jugore ku kjo është periudha më e ftohtë e vitit, ne pamë temperatura që vështirë se do t'i shihnim, ose pothuajse të pamundura, pa ndikimin njerëzor në klimë”, vuri në dukje ai.
Shkencëtarët krahasuan valët e të nxehtit dhe temperaturat që ka shumë të ngjarë të jenë rezultat i ndryshimeve klimatike me monitorimin e temperaturës të krijuar nga modele që përjashtojnë ndikimin e emetimeve të gazeve serrë.
Valët e të nxehtit në Amerikën e Veriut dhe Evropën Jugore do të ishin të pamundura pa ndryshimet klimatike, pohon Friederekie Otto, një shkencëtare klimatike në Institutin Grantham për Ndryshimet Klimatike dhe Mjedisin.
Grupi i saj studioi valët e izoluara të të nxehtit dhe arriti në përfundimin se ato nuk do të ishin të mundshme pa ndryshimet klimatike.
/Motilokal.com
