Tri kompani ndërkombëtare kualifikohen për ndërtimin e impiantit të parë të erës në Kosovë

Tri kompani ndërkombëtare kualifikohen për ndërtimin e impiantit të parë të erës në Kosovë

Kosova hedh një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme, me kualifikimin e suksesshëm të tri kompanive ndërkombëtare për fazën e dytë të ankandit të parë për ndërtimin e një impianti të erës me kapacitet prej 100 megavatësh.

Ky ankand, i mbështetur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), u lansua më 20 shkurt. Në këtë fazë janë pranuar aplikimet nga tri kompani: Akuo Energy (Francë), Güriş (Turqi) dhe Konsorciumi Notus/Stublla Energy (Gjermani dhe Kosovë).

Komisioni vlerësues ka konfirmuar se të tri kompanitë i kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore, teknike dhe financiare, duke u kualifikuar për fazën e dytë të procesit, dorëzimin e propozimeve të plota.

Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se së shpejti do të shpallë Kërkesën për Propozime për këto kompani, një proces që pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe që do të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të transparencës.

Gjatë kësaj periudhe do të organizohet konferenca e para-ofertimit, ku do të prezantohet struktura e projektit dhe marrëveshjet kontraktuale. Më pas, kompanitë do të kenë mundësinë të parashtrojnë pyetje, në mënyrë që të finalizojnë ofertat e tyre.

Vetëm propozimet që përmbushin të gjitha kërkesat ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale do të kalojnë në fazën përfundimtare të vlerësimit financiar. Fituesi do të përzgjidhet bazuar në çmimin më të ulët për megavat-orë, në përputhje me kufijtë e përcaktuar nga rregullatori.

Ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët, duke dëshmuar përkushtimin institucional për energji të pastër dhe përfshirjen e investitorëve seriozë përmes një procesi të hapur dhe konkurrues.

/Motilokal.com