Mercedes-Benz ka prezantuar një version të ri të G-Class, të frymëzuar nga dizajni retro dhe gjeneratat e tij të mëparshme, i cili do të prodhohet në sasi të kufizuar. I quajtur "Edition Stronger Than the 1980s", ky model i veçantë sjell një pamje që rikujton versionin origjinal të SUV-it nga vitet ’80, me ngjyrë klasike, panele dekorative të zeza, ndriçim të ndryshuar dhe detaje unike identifikuese.
I kufizuar në vetëm 460 njësi në rang global, ky edicion special e merr shumicën e elementeve të dizajnit nga versioni retro i G-Class i prezantuar në vitin 2023, me rastin e prodhimit të njësisë së 500.000-të. Ngjyra klasike "Agave Green", mbrojtëset e fenerëve dhe sinjalizuesit portokalli janë të njëjtë me ato të modelit të përvjetorit.

Kësaj here, blerësit mund të zgjedhin midis tre nuancave historike: jeshile agave, krem apo bezhë “Colorado” – ngjyra që kanë qenë ndër të parat të ofruara për klientët e G-Class në vitet 1980.
Pavarësisht ngjyrës së zgjedhur, çdo njësi e këtij edicioni special vjen me grilën e përparme, maskën e radiatorit, mbrojtësen e fshesave, parakolpin e poshtëm, mbrojtëset anësore, harkët e rrotave dhe kapakët e pasqyrave të lyer në nuancën “Night Black Magno”, për të theksuar karakterin e fortë dhe autentik të G-Class. Rrotat 18 inç në ngjyrë argjendi janë pjesë e pajisjeve standarde.

Ky version përmban gjithashtu shenja ekskluzive në kapakun e motorit, në derën e pasme dhe në mbulesën e gomës rezervë. Paketa “Professional Line” për pjesën e jashtme është gjithashtu standarde dhe përfshin goma për të gjitha terrenet, mbrojtëse balte dhe një rafte tavanor me shkallë të montuar në pjesën e pasme.
Brenda kabinës, klientët do të gëzojnë tapiceri prej pëlhure me dizajn kuadratik në ngjyrë gri “Dove Grey” dhe një pllakë metalike "1 nga 460" të vendosur në tastierën qendrore. Në dorezën e pasagjerit është gdhendur fraza “MË I FORTË SE VITET '80”, ndërsa pragjet e dyerve përmbajnë një hartë topografike të malit Schöckl, terreni i testimit në Graz, Austri, ku prodhohet G-Class.

Ky edicion bazohet në modelin Mercedes-Benz G550 i vitit 2026, i cili është i pajisur me motor 3.0 litërsh me gjashtë cilindra në linjë dhe teknologji të butë hibride që zhvillon 443 kuaj fuqi. Fuqia shpërndahet në të katër rrotat përmes një transmisioni automatik me nëntë shpejtësi, dhe të tre diferencialet janë të bllokueshme, përfshirë një ndarje me dy shkallë të shpejtësisë.
Çmimi ende nuk është bërë i ditur, por pritet të jetë dukshëm më i lartë se ai i versionit standard, duke marrë parasysh veçoritë unike dhe prodhimin jashtëzakonisht të kufizuar. Mercedes ka konfirmuar se dërgesat pritet të nisin në fund të këtij viti.
/Motilokal.com
