Koha për mbjelljen e patates

Koha për mbjelljen e patates

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se tani është koha për mbjelljen e patates.

Postimi i plotë:

Të nderuar fermerë,

Jemi ende brenda afatit optimal për mbjelljen e patates. Ata që nuk kanë arritur ta mbjellin ende, mund të vazhdojnë procesin. Prandaj, po ju ofrojmë disa informacione të rëndësishme për të gjithë ata që kanë planifikuar mbjelljen e patates këtë vit.

Patatja dallohet me përshtatshmëri mjaft të mirë ndaj kushteve të ndryshme klimatike Kjo mundëson kultivimin edhe në lartësi të ndryshme mbidetare. Mbirja fillon në temperaturë 7 deri 10 gradë Celsius. Temperatura optimale e tokës për formimin e tuberëve është 16-18 gradë Celsius. Ndërsa e ajrit 18-22 gradë Celsius.

Përgatitja e tokës për mbjellje

Lëvrimi i tokës, përgatitja e shtretërve (rendet e ngritura), kanë për qëllim të:

• shpejtojnë mbirjen,

• depërtim të rrënjës në thellësi,

• drenim të mirë,

• kontroll të barojave të këqija dhe

• shtresës mbuluese të dheut mbi tuberët e ri të kultivuar.

Mbulimi i tuberëve me shtrese të dheut parandalon: gjelbërimin, sulmimin nga insektet apo kërpudhat (p.sh. Phytophthora infestans – vrugu i patates) dhe rritjen sekondare te shkaktuar nga ekspozimi ne temperatura te larta.  

Operacioni kryesor i lëvrimit të tokës me plug duhet të kryhet në thellësi prej 25-35 cm. Ky lëvrim do të:

• bëjë tokën e shkriftë,

• thyej shtresat e papërshkueshme,

• përmirësoj drenimin,

• kthej materien organike në tokë.

• Operacioni kryesor i lëvrimit të tokës është metoda më adekuate e kontrollit të barojave, sidomos kur ajo ekzekutohet me mjetet shtesë për rrotullim të dheut (plugu imtësues, plugu disk).

Lëvrimi kryesor duhet të bëhet në vjeshtë. Përgatitja e shtretërve për farë duhet të kryhet pak para mbjelljes dhe duhet të bëhet atëherë kur toka nuk është e lagësht dhe as shumë e thatë.

Lëvrimi i tokës me lagështi rezulton në kompaktësi të dheut dhe formim të grumbujve të dheut. Ngjeshja e dheut na shpie deri te drenazhimi i dobët dhe zhvillimi i sistemit të dobët rrënjor.     

Madhësia e tuberëve amë, kultivari dhe zhvillimi i shkallës së mbishmërisë, të gjitha luajnë rol në zhvillimin e bimës së patates.

Dendësia e mbjelljes mund të shprehet si në ton/ha apo tuber/ha. Metoda më e saktë është caktimi i numrin e kërcejve/ha.

Për prodhimin e patates për konsum, numri i tuberëve për mbjellje është zakonisht 40,000 tuberë/ha për t’i prodhuar kërcejtë me një densitet prej 15-20 kërcej/m2.

Distanca në mes rreshtave varet shumë nga makineria e cila përdoret për mbjellje. Distanca që përdoret më së tepërmi është 70-75cm. Distancat më të vogla japin një mbulesë më të shpejt dhe përdoren atëherë kur pritet rritje e vogël e kërcellit, si dhe për mbjellje me dorë.

Distanca prej 90cm në mes rreshtave përdoret kur pritet rritje e madhe e kërcejve dhe kualiteti i tuberëve është mjaft i rëndësishëm – mbushja e gjerë e mbron kulturën nga ekspozimi në dritë të dielli (me ç‘rast tuberët marrin ngjyrë të gjelbër), dëmtimi mekanik dhe rritja sekondare.

Patatet duhet të mbjellën ashtu që maja e tuberëve duhet veç të mbulohet me dheun nëse mbushja e rendeve është nivelizuar drejt. Me fjalë të tjera, tuberët janë afër 10 cm më poshtë se sa sipërfaqja (maja e rreshtave të patates) e mbathjeve.

Pasi që çdo rregull ka përjashtime: Nëse ekziston rreziku nga përmbytja me ujë, atëherë tuberët duhet të mbillen më lart, apo nëse është rrezik nga thatësia atëherë ato duhet të mbillen më thellë.

Mbjellja e cekët mundëson vjelje më të lehtë por shpie tek rritja e problemeve me baroja, dëmtime, vrugu i tuberëve dhe deformime.

Gjatë aplikimit të plehrave duhet pasur para sysh që për 10 ton∕ha zhardhok, patatja thith nga toka 50 kg N, 25 kg P2O5 dhe 79 kg K2O.

Ujitjet duhet të jenë sipas nevojës (varësisht nga të reshurat, tipi i tokës dhe faza e rritjes dhe zhvillimit të bimëve). Duhet pasur parasysh se kërkesat më të mëdha për lagështi janë në fazën e lulëzimit dhe formimit të tuberëve. Rreth 25 ditë para nxjerrjes së tuberëve duhet ndërprerë me ujitjet.

Ku mund të merrni informata shtesë:

Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët komunal ku në secilën komunë mund të lajmëroheni në Drejtorinë - Zyrën për Bujqësi, ose në zyrën qendrore të Shërbimit Këshillimor, ose mund të drejtoheni në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në MBPZHR, rruga “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, nr. 120 Kati III në Prishtinë, si dhe në Tel. 383- (0)38 200 38 426.

/Motilokal.com