Operacioni i kërkim-shpëtimit në Pashtrik vazhdon për të riun e zhdukur

Operacioni i kërkim-shpëtimit në Pashtrik vazhdon për të riun e zhdukur

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim përmes një postimi në Facebook njofton se ende vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit në Pashtrik.

“Edhe sot, më 08 Prill 2025, të gjitha ekipet e përfshira në operacionin e kërkim-shpëtimit janë të angazhuara në vazhdim të kërkimeve për shtetasin Ajet Lleshi, 26 vjeç, në zonën malore të Pashtrikut, në Cahan të Rep. të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim demanton fuqishëm informacionet e përhapura në disa rrjete sociale dhe media jozyrtare, të cilat pretendojnë se personi është gjetur i vdekur. Këto informacione janë të pavërteta dhe nuk bazohen në të dhëna zyrtare apo të konfirmuara nga autoritetet përgjegjëse.

“Ftojmë qytetarët dhe mediat të bazohen vetëm në njoftimet zyrtare dhe të mos shpërndajnë informata të pasakta që mund të dëmtojnë procesin e kërkimit dhe familjarët e të zhdukurit. Për çdo zhvillim të mëtejmë, do të jeni të informuar nga burimet zyrtare”, thuhet në komunikatë.


/Motilokal.com