Rreth 30 çifte fazanësh të egër janë lëshuar në habitatin natyror të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Individët e liruar janë gati për folenizim, ndërsa shtimi i tyre do të monitorohet nga banorët e zonës.
Banorët, në bashkëpunim me shoqatat e gjuetarëve, kanë marrë përsipër të mbrojnë këtë popullatë fazanësh dhe të sigurojnë ushqimin e tyre. Fazanët janë vendosur në kufirin e zonës së lirë të gjuetisë, midis Libofshës dhe pjesës jugore të parkut.
Pas 30 vitesh nga zhdukja e tyre, ripopullimi i fazanit ka hyrë në fazën e parë. Federata Shqiptare e Gjuetisë ka përzgjedhur me kujdes habitatin e përshtatshëm për lirimin e tyre dhe planifikon të lëshojë edhe disa çifte thëllëzash të fushës në muajt e ardhshëm.
Gjuetarët dhe banorët e zonës janë ftuar të kontribuojnë në mbrojtjen e fazanëve, veçanërisht në këtë periudhë riprodhimi.
“Pikërisht tani po i lëshojmë, pasi janë në fazën e shumimit dhe menjëherë fillojnë të ndërtojnë foletë. Nëse sot kemi lëshuar 30 fazanë, deri në tetor mund të kemi mbi 100, ndërsa vitin e ardhshëm numri i tyre mund të arrijë në 500-600", është shprehur presidenti i Federatës Shqiptare të Gjuetisë, Themi Perri.
“Kjo specie është mbarështuar me sukses edhe më parë në këtë zonë. Pjesa e punuar e territorit do të mbillet me misër, duke ofruar maskim dhe burim ushqimi për fazanët", shtoi Enton Mele.
/Motilokal.com
