Kompania franceze Peugeot ka njoftuar zyrtarisht ardhjen e versionit GTi të modelit tërësisht elektrik e-208.
Megjithëse detajet janë shumë të pakta për momentin, kjo lëvizje e Peugeot është një tregues i qartë i dëshirës për të inkurajuar klientët të blejnë një makinë elektrike, madje edhe ata që kërkojnë diçka më emocionuese për të vozitur.
E-208 GTi i ri do të bëhet modeli i parë elektrik i Peugeot me fokus performancën dhe ardhja e tij pritet "së shpejti". Duke folur për mediat së fundmi, shefi i Peugeot, Alain Favey, tha se rihapja e markës GTi do të ndihmonte "rilidhjen me historinë" duke vendosur gjithashtu një lidhje midis makinave rrugore të Peugeot dhe përfshirjes së kompanisë në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë.
"Unë mund të konfirmoj se do të lançojmë versionin GTi të e-208 sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duam të vazhdojmë të ndërtojmë reputacionin e markës për të ofruar një ndjesi drejtimi, si për shoferin ashtu edhe për pasagjerët", tha Favey për revistën Autocar.
Versioni GTi i e-208 do të përdorë të njëjtën platformë si modeli standard, por mund të huazojë komponentë të sistemit të fuqisë nga Abarth 600e. Kjo makinë fuqizohet nga një motor elektrik i montuar përpara, i cili jep 240 kf dhe vjen i pajisur me një diferencial me rrëshqitje të kufizuar Torsen. Duke marrë parasysh faktin se e-208 është më i vogël se 600e, hatchback-i i fuqishëm i Peugeot duhet të jetë mjaft i shkathët dhe i shpejtë, duke përshpejtuar nga 0 në 100 km/h në më pak se 6 sekonda.
Favey shtoi se Peugeot po konsideron gjithashtu lansimin e një modeli të ri GTi me një motor me djegie të brendshme nëse kjo është ajo që klientët duan.
/Motilokal.com
