Nga Shkëlzen Rrecaj
Trafiku i rënduar ka mbërthyer qytetin, ajri është i ndotur, rrugët janë mbushur me pluhur dhe nuk dihet kur janë pastruar për herë të fundit. Ndërtime të paorganizuar, pa shije dhe stil, një mungesë e theksuar e gjelbërimit. Si të mos mjaftonin këto, çdo cep i Prishtinës është i mbushur me bërllok.
Problemi i mbeturinave në kryeqytet mbetet ndër sfidat më të mëdha për banorët e saj, të cilët çdo ditë përballen me pamje të shëmtuara dhe mjedis të ndotur.
Megjithëse institucionet pretendojnë se po ndërmarrin përpjekje për të përmirësuar situatën, gjendja në shumë lagje të Prishtinës mbetet alarmante. Mungesa e shportave publike, kontejnerëve dhe infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave vazhdon të jetë një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Ndërkohë, qytetarët ndihen të lënë pas dore, ndërsa ndotja urbane vetëm sa shtohet çdo ditë e më shumë.
Sipas të dhënave Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2023, rajoni i Prishtinës ka grumbulluar gjithsej 149,000 ton mbeturina komunale, që përbën 30.4% të totalit në Kosovë. Mesatarja ditore e mbeturinave të grumbulluara për banor në këtë rajon ishte 0.83 kg.
Motilokal.com i ka drejtuar disa pyetje Komunës së Prishtinës për të kuptuar më mirë planet e saj për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet. Pyetjet përfshinin:
- A ka komuna plane konkrete për të shtuar numrin e kontejnerëve dhe pikave të grumbullimit në lagjet e Prishtinës?
- Cilat janë masat që komuna do të ndërmarrë për të rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin e qytetarëve lidhur me menaxhimin e mbeturinave?
Në përgjigjen e saj, Drejtoria për Shërbime Publike theksoi se Komuna e Prishtinës, si autoriteti kompetent për menaxhimin e mbeturinave, ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar situatën. Aktualisht, komuna ka kontraktuar furnizimin me kontejnerë të rinj dhe po realizon shpërndarjen e tyre nëpër lagjet e kryeqytetit.
Sipas komunës, ky proces i shpërndarjes bazohet në një analizë të detajuar të territorit që është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, me qëllim që të identifikohen zonat me nevojat më të mëdha për kontejnerë dhe pika grumbullimi.
Megjithatë, nuk u dha një përgjigje e qartë lidhur me masat që do të ndërmerren për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave.
Por cilat janë arsyet kryesore për mungesën e shportave dhe kontejnerëve për mbeturina në rrugët e Prishtinës sipas ambientalistëve?
Në një prononcim për Motilokal.com, ambientalistja dhe drejtuesja e organizatës 'EcoZ', Egzona Shala, u shpreh: “Një nga arsyet kryesore është planifikimi urbanistik i paorganizuar dhe zhvillimi i shpejtë i qytetit pa një strategji të mirëfilltë për menaxhimin e mbeturinave. Zgjerimi urban dhe rritja e popullsisë nuk janë shoqëruar me zgjerimin e infrastrukturës së grumbullimit të mbeturinave. Mungesa e shportave të vogla në rrugë dhe sheshe vjen edhe si rezultat i vështirësive logjistike në mbledhjen dhe menaxhimin e tyre, pasi kërkon pajisje specifike dhe mbështetje të vazhdueshme nga kompania e pastrimit. Për më tepër, mungesa e rregulloreve efektive dhe masave ndëshkuese për ndotësit ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Tutje ambientalistja Shala theksoi se mungesa e shportave dhe kontejnerëve për mbeturina kontribuon drejtpërdrejt në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës. Ndotja vizuale dhe grumbullimi i mbeturinave në hapësira publike krijojnë një ambient të pakëndshëm për qytetarët dhe ndikojnë në mirëqenien e tyre psikologjike, duke rritur stresin kolektiv. Për më tepër, mbetjet plastike dhe materialet e tjera jo të biodegradueshme mund të qëndrojnë në mjedis për qindra vjet, duke ndikuar negativisht në tokën, ujin dhe zinxhirin ushqimor. Kjo përbën një rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe ekosistemin në tërësi.
Për të reduktuar mbeturinat në rrugët e Prishtinës ajo thotë se duhen disa zgjidhje praktike dhe jo të shihet si një mundësi ekonomike apo thjesht si një barrë.
“Menaxhimi i mbeturinave duhet të shihet si një mundësi ekonomike dhe jo thjesht si një barrë. Disa zgjidhje praktike përfshijnë:
Vendosjen e më shumë shportave dhe kontejnerëve strategjikisht nëpër qytet, veçanërisht në hapësira me qarkullim të madh.
Fuqizimin e bizneseve të riciklimit dhe grumbullimit të materialeve kryesore si plastika, qelqi, letra dhe mbetjet organike.
Organizimin e fushatave të vetëdijesimit për reduktimin e mbetjeve që nga burimi, duke inkurajuar ndarjen e mbeturinave dhe riciklimin në nivel individual dhe komunitar.
Rritjen e mbështetjes për iniciativat që promovojnë ekonomi rrethore dhe zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave.”
Si mund të inkurajohen qytetarët për të pasur një qasje më të përgjegjshme ndaj menaxhimit të mbeturinave?
Ambeintalistja Shala thekson se qytetarët kanë nevojë për një infrastrukturë të përshtatshme që t’i ndihmojë të krijojnë shprehi të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave.
“Për të nxitur një sjellje më të përgjegjshme, duhet:
Të rritet kontrolli dhe zbatimi i gjobave për ndotësit, duke përfshirë masa ndëshkuese të qarta për hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme.
Të vendosen taksa mjedisore për ndotësit dhe të ofrohen stimuj për ata që kontribuojnë në riciklim dhe zvogëlimin e mbetjeve.
Të promovohet përgjegjësia komunale për pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave, me një transparencë më të madhe në shpenzimet dhe shërbimet e pastrimit.
Të përfshihen fëmijët dhe të rinjtë në edukimin mbi mjedisin që nga shkolla, duke krijuar një kulturë më të përgjegjshme për menaxhimin e mbeturinave në të ardhmen.
Këto hapa do të ndihmonin në krijimin e një qyteti më të pastër dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.”
Si e sheh opozita gjendjen e mbeturinave në Prishtinë?
Në një prononcim për Motilokal.com, asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi, theksoi: “Gjendja aktuale me mbeturina në Prishtinë është skandaloze, për shkak se kemi mbeturina të shpërndara gjithandej Kryeqytetit. Po ashtu, mungesa e madhe e kontejnerëve dhe shportave në shumë rrugë dhe lagje të Prishtinës bën që mbeturinat të grumbullohen në hapësira publike.”
“Zona të mbuluara me mbeturina kemi për shkak të menaxhimit të dobët nga Komuna e Prishtinës dhe NP 'Pastrimi'. Si rezultat, shumë zona të qytetit mbeten të mbuluara me mbeturina”, u shpreh Krasniqi.
Asambleisti Krasniqi tutje tha se Komuna e Prishtinës, nën drejtimin e kryetarit Përparim Rama, ka dështuar të zgjidhë problemin e mbeturinave. Ne propozojmë ngritjen e kapaciteteve përmes blerjes së kamionëve, kontejnerëve dhe pajisjeve të tjera që shërbejnë për pastrimin e Kryeqytetit. Gjithashtu, kërkojmë që të ofrohen kushte më të mira për punëtorët, si në aspektin e veshmbathjes ashtu edhe të pagave.

I pyetur për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për menaxhimin e mbeturinave dhe rolin që mund të luajë komuna për ta arritur këtë, Krasniqi u shpreh: “Po, kemi një rritje të vetëdijes së qytetarëve në lidhje me menaxhimin e mbeturinave (kujdesin për të mos i hedhur ato në vende të papërshtatshme), por ende ka persona të papërgjegjshëm që i hedhin mbeturinat në rrugë, gjë që sigurisht është e dëmshme. Në këtë aspekt, Komuna e Prishtinës duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm përmes fushatave vetëdijësuese, duke edukuar qytetarët se nuk duhet të hedhin mbeturina në Kryeqytet."
Ndërsa qytetarët vazhdojnë të ankohen për mungesën e shportave dhe kontejnerëve në Prishtinë, përgjegjësinë për këtë situatë ata ia hedhin Komunës së Prishtinës. Sipas tyre, mungesa e infrastrukturës adekuate për menaxhimin e mbeturinave i detyron të ecin larg për të gjetur një kontejner të përshtatshëm. Për shumë prej tyre, përtesa për të ecur gjatë i shtyn të zgjedhin opsionet më të afërta dhe të papërshtatshme, siç janë shtyllat elektrike, qoshet e ndërtesave apo edhe trupat e pemëve në Kryeqytet.
Një rast i tillë është vërejtur edhe nga gazetari i Motilokal.com, i cili hasi një qytetar duke hedhur mbeturina pranë një shtylle ndriçuese. I pyetur për arsyen e këtij veprimi dhe ndikimin e tij në ndotjen e mjedisit, qytetari u justifikua duke thënë se vendi më i afërt për hedhjen e mbeturinave ishte shumë larg.
Ky problem në Kryeqytetin pa “shef” do të vazhdojë të përkeqësohet derisa të ndërmerren masa konkrete për shtimin e kontejnerëve dhe shportave nëpër rrugë e lagje.
/Motilokal.com
