Moti të enjten në Shqipëri parashihet i paqëndrueshëm me vranësira e reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës ndërsa në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë priten reshje mesatare. Në Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër reshjet priten të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare. Në të gjitha qarqet reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Të enjten në Kosovë pritet mot i paqëndrueshëm, me rrebeshe lokale shiu dhe intervale me diell. Reshjet do të nisin që në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës pritet të fryjë erë e fortë jugperëndimore, me shpejtësi deri në 70 km/h, e në rajonin e Dukagjinit deri në 90 km/h.
Në Maqedoni të enjten do të mbajë mot pjesërisht me vranësira me reshje të dendura lokale shiu dhe shtrëngata. Proceset do të jenë më intensive në mëngjes në pjesët lindore, ku do të jenë në formë stuhie. Vranësirat do të pësojnë ulje të pjesshme pasdite. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e fortë nga jugperëndimi mbi 60 km/h.
Me vranësira e reshje të dendura shiu, të shoqëruara me erëra të forta parashihet të mbajë të enjten në Mal të Zi.
/Motilokal.com
