A do të jenë në gjendje shkencëtarët të parashikojnë me saktësi shpërthimet vullkanike në të ardhmen dhe kështu të ndihmojnë në shpëtimin e mijëra jetëve?
Është një dëshirë që ekziston prej shekujsh, por duket se shkencëtarët janë më afër se kurrë realizimit të kësaj dëshire. Gjegjësisht, një ekip i udhëhequr nga Universiteti i Canterbury në Zelandën e Re ka zhvilluar një model të inteligjencës artificiale që mund t'i ndihmojë shkencëtarët të parashikojnë shpërthimet e ardhshme.
Siç deklaruan ata në një studim të botuar në Nature Communications, ata përdorën inteligjencën artificiale për të gjetur modele sizmike të fshehura në të dhënat e regjistruara mbi 70 vjet nga shpërthimet e 24 vullkaneve.
Problemi i parë që ata hasën ishte se variablat e shumtë, si me tërmetet, e bënin pothuajse të pamundur parashikimin e saktë të shpërthimit. Megjithatë, inteligjenca artificiale që ata zhvilluan njohu shenja specifike që mund të ndihmojnë në ndryshimin e kësaj situate.
Shkencëtarët kanë zbuluar se sinjalet paralajmëruese të shpërthimit ndjekin modele të përsëritura nëpër vullkane të shumta. Kjo ishte thelbësore sepse do të thoshte se duke studiuar dhe monitoruar modele të tilla, mund të dallohej një shpërthim i afërt.
Ky zbulim mund të jetë një përparim në parashikimin e shpërthimeve , tha autori kryesor i studimit, dr. Alberto Ardid. Parashikimi në kohë dhe i saktë i një shpërthimi mund të shpëtojë jetë, të zvogëlojë humbjet ekonomike dhe të minimizojë humbjet për shkak të ndërprerjeve në trafikun ajror, bujqësinë dhe zinxhirët e furnizimit global.
"Kjo është hera e parë që kemi një model që tregon se si mund të përdorim të dhënat e shpërthimit pararendës nga një numër vullkanesh për të ndihmuar në parashikimin e shpërthimit të ardhshëm të një vullkani tjetër për të cilin ka shumë pak të dhëna të disponueshme", shtoi vullkanologu profesor Ben Kennedy, i cili gjithashtu bashkëpunoi në studim.
/Motilokal.com
