Rama: Vjosa një nga parqet më të rrallë në botë

Rama: Vjosa një nga parqet më të rrallë në botë

Shqipëria turistike do të jetë një vend i pakrahasueshëm për turistët që do të zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp përpara hapjes së panairit më të madh ndërkombëtar në botë të Turizmit, ITB Berlin 2025, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit”.

Duke iu përgjigjur interesit të një gazetareje zvicerane lidhur me ardhjen e turistëve me autobusë dhe tragete, Rama tha se “mendoj që keni një argument, por duhet të bëj një argument tjetër për t’i ardhur argumentit tuaj. Sot që flasim kemi një prej parqeve, besoj më të mëdha në botë, sepse është më i rralli, në mos i vetmi park kombëtar që përshkon të gjithë vendin dhe është Parku Kombëtar i lumit Vjosa. Lumi Vjosë u zbulua nga qytetarët evropianë miqësorë me mjedisin, si lumi i fundit e egër në Evropë, kështu që na u hodhën në fyt ta mbronim, ndërkohë që ne po kërkonim shumë që ta mbronim atë. Çfarë dua të them? Dua të them që pasi zbutët të gjithë lumenjtë tuaj, donit që lumi ynë të qëndronte i egër, kështu që pasi u zhvilluat në të gjitha mënyrat e mundshme, donit që ne të zhvilloheshim vetëm në mënyrën që mendoni se është e duhura”.

“Ju tregova paksa historinë, kështu që mos u kërkoni shqiptarëve që të mos kërkojnë të udhëtojnë me avionë, sepse na u ndalua për gjysmë shekulli edhe t’u hidhnim sytë avionit, ndërkohë që ju fluturonit, e shijonit, ne ecnim apo vinim vërdallë vendit tonë që ishte shndërruar në një burg”, tha Rama.

Për ta përmbyllur me përgjigjen, vijoi Kryeministri, “jam tejet i bindur që ashtu siç po ndodh sot, do të rritet edhe më shumë, me më shumë zviceranë, me më shumë gjermanë, me më shumë izraelitë, me më shumë turistë të Evropës veriore që do të vijnë tek ne për bukuritë e maleve, për kënaqësinë e jashtëzakonshme të ngjitjes në to, për bukuritë e aventurave të tjera, rafting në lumenj, e kështu me radhë”.

“Shqipëria ka për këdo një vend. Është një vend shumë i vogël, por ndryshe nga Zvicra, është më i larmishëm, kështu që kemi atë që ka Zvicra, por imagjinojeni sikur në Zvicër të kishit atë çfarë ka Mesdheu. Do të ishit të pakrahasueshëm. Ne do të jemi  të pakrahasueshëm herët më shumë sesa vonë, sepse kemi Zvicrën, kemi Mesdheun, kemi gjithçka që do një qenie njerëzore dhe e kemi në një distancë shumë të shkurtër, 28 mijë km2, por me larminë më të madhe; kemi dy dete, nëntë lumenj, shumë male, shumë lugina, shumë liqene dhe po kështu si qershia mbi tortë, kemi shqiptarët. Dhe nuk jemi të mërzitshëm asnjëherë si zviceranët”, tha Rama.

/Motilokal.com