Një fotografi që shfaqte biçikletat e Komunës së Prishtinës të grumbulluara në një oborr pranë një serre në lagjen “Kalabria”, është bërë virale e cila u publikua sot nga “Vrojtuesit e lagjes” ka detyruar ndërmarrjen komunale “Prishtina Parking” të dalë me një reagim, duke u përpjekur të arsyetojë këtë situatë.
Faqja “Vrojtuesit e lagjes” nxori në pah një realitet shqetësues me dhjetëra biçikleta të hedhura në një hapësirë që më shumë i ngjante me një depo të improvizuar sesa me një vend të përshtatshëm për mirëmbajtje. Përballë kritikave, “Prishtina Parking” u mundua ta minimizojë problemin, duke pretenduar se biçikletat ishin në një “zonë të sigurt” dhe nën “vëzhgim të kamerave”.
Vetëm pasi çështja mori vëmendje, ndërmarrja dha një shpjegim të vonuar, duke deklaruar se biçikletat ishin në proces mbushjeje me energji elektrike dhe se do të vendoseshin në stacione më 1 mars. Por mbetet e paqartë pse ky informacion nuk u bë publik më herët dhe pse biçikletat, që supozohet të jenë një shërbim modern për qytetin, përfunduan në një cep të izoluar, larg çdo transparence dhe standardi menaxhimi.
“Për shkak të stinës së dimrit, ne kemi marrë masa të posaçme për të siguruar mbrojtjen e biçikletave të ‘Prishtina Bikes’ duke i vendosur në një hapësirë të mbyllur dhe të monitoruar vazhdimisht me kamera, për të shmangur çdo dëm të mundshëm. Biçikletat do të vendosen në stacione më dt. 01.03.2025. Aktualisht, jemi në fazën e mbushjes së biçikletave me rrymë elektrike, proces i cili zgjat 24 orë për një biçikletë, një hap kyç për funksionimin e duhur të tyre. Biçikletat përgjatë tre muajve kanë qenë të vendosura në ambient të mbyllur. Mirëpo, pjesë e procesit të mbushjes është ekspozimi i tyre në diell, duke përdorur energjinë solare për të optimizuar mbushjen si dhe për të garantuar performancë afatgjatë të biçikletave”, thuhet në sqarim të “Prishtina Parking”.
Ndërmarrja e ka cilësuar zonën ku po mbahen biçikletat si “të sigurt”.
“Biçikletat janë vendosur në një zonë të sigurt në lagjen Kalabria, nën vëzhgimin e kamerave dhe mbikëqyrjen tonë të vazhdueshme, duke siguruar që çdo detaj të jetë nën kontroll,” thuhet në sqarim.
Këto biçikleta, të cilat kushtuan rreth 2700 euro secila, u blenë nga Komuna me një buxhet prej 500 mijë eurosh për t'u përdorur si mjet transporti publik. Ato arritën në dhjetor të vitit 2023, por ende nuk janë vënë në funksion.
/Motilokal.com
