Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025 (Abu Dhabi Sustainability Week - ADSW). Gjatë Samitit Global, ku morën pjesë liderë botërorë, politikëbërës dhe ekspertë të industrisë, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, ai njoftoi për një marrëveshje strategjike të ardhshme ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e kabllove nënujore. “Kjo marrëveshje do të shërbejë jo vetëm për transmetimin e energjisë së ripërtëritshme nga Shqipëria në Itali, por edhe për ta pozicionuar Shqipërinë si një lojtar kyç në rajon, duke u bazuar në prodhimin 100% të energjisë së ripërtëritshme,” deklaroi ai.
Rama vlerësoi rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Sheikh Mohammed bin Zayed në avancimin e sektorit energjetik shqiptar dhe diversifikimin e burimeve të energjisë. Ai theksoi se Shqipëria tashmë prodhon 100% të energjisë nga burime të ripërtëritshme, duke u radhitur ndër vendet kryesore në Evropë në këtë drejtim.
Kryeministri gjithashtu përmendi bashkëpunimin midis Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe kompanisë Masdar, që synon zhvillimin e kapaciteteve prej deri në 3 gigavat për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Ky projekt pritet të kontribuojë ndjeshëm në stabilitetin energjetik rajonal dhe integrimin në tregun europian.
Në përmbyllje të fjalës, Rama përshëndeti pjesëmarrjen e Kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila është gjithashtu pjesë e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar marrëveshjen tripalëshe si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe bashkëpunimit në rajon.
/Motilokal.com
