Sot, në Emiratet e Bashkuara Arabe, u nënshkrua marrëveshja e investimit për ndërtimin e një lidhjeje nënujore të rrjetit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë përmes detit Adriatik. Marrëveshja gjithashtu përfshin investime në rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme në Shqipëri. Në këtë marrëveshje morën pjesë Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Qeveria e Republikës së Italisë dhe Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja u firmos për palën shqiptare nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke krijuar një aleancë strategjike ndërmjet vendeve për zhvillimin e energjisë së gjelbër.
Gjatë fjalës së tij në samit, Kryeministri Edi Rama theksoi se kjo marrëveshje do të forcojë pozicionin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, duke u bazuar në prodhimin 100% të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfaqësues të qeverive përkatëse.
Rama: Kontribut për paqen dhe zhvillimin rajonal
Kryeministri Rama falënderoi presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed për mbështetjen në këtë projekt të rëndësishëm, duke e cilësuar si një hap të madh për transformimin e sektorit energjetik të Shqipërisë.

“Shqipëria prodhon 100% të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, dhe kjo marrëveshje e pozicionon vendin tonë si lider në rajon. Partneriteti me Emiratet e Bashkuara Arabe është thelbësor për të kapërcyer të shkuarën e konfliktit në rajon dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Marrëveshja synon zhvillimin e deri në 3 GW kapacitet për prodhimin e energjisë së gjelbër dhe integrimin në tregun energjetik evropian,” tha Rama.
Meloni: Një projekt që hap horizonte të reja
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu entuziazëm për projektin, duke e cilësuar si një hap drejt ndërlidhjes globale.
“Kjo nismë do të mundësojë furnizimin dykahor me energji ndërmjet Azisë, Gjirit, Afrikës së Veriut dhe Evropës. Lidhja nënujore Shqipëri-Itali është një projekt ambicioz që do të fuqizojë bashkëpunimin rajonal dhe do të sjellë përfitime të ndjeshme për të gjithë pjesëmarrësit,” tha Meloni.
Ajo theksoi lidhjen e fortë të Italisë me Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturën energjetike, duke përmendur edhe projektet ekzistuese, si lidhja energjetike me Malin e Zi.
“Jetojmë në një epokë të transformimeve të thella dhe kemi mundësinë t’i përqafojmë këto ndryshime me kurajë dhe vizion. Ky projekt është një shembull i qartë i asaj që mund të arrijmë përmes bashkëpunimit,” përfundoi Meloni.
/Motilokal.com
