Ja kur pritet të bie borë

Ja kur pritet të bie borë

Të premten, moti në Shqipëri do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Parashikohen vranësira mesatare dhe të dendura, ndërsa në ultësirën perëndimore do të ketë intervale kthjellimesh. Vranësirat do të shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët, ndërsa në veri dhe pjesërisht në qendër reshjet do të jenë lokalisht deri në intensitet mesatar.

Të shtunën, moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje shiu, ndërsa në zonat malore dhe ato më të ulëta priten reshje bore.

Të dielën, pritet të ketë reshje të dendura shiu, vende-vende të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në zonat malore reshjet do të jenë në formë bore.

Në Kosovë, të premten pritet mot me vranësira dhe reshje shiu që do të fillojnë pasdite, duke kaluar më vonë në reshje bore.

Të shtunën, moti do të jetë i ftohtë me reshje bore kryesisht në mëngjes, ndërsa gjatë ditës parashikohen vranësira dhe periudha të shkurtra me diell.

E diela do të karakterizohet nga mot i ftohtë dhe reshje bore të herëpashershme.

Maqedonia e Veriut të premten do të ketë mot pjesërisht të vranët, me mjegull në mëngjes nëpër lugina. Gjatë natës priten reshje lokale shiu, ndërsa në malet e larta reshjet do të jenë në formë bore.

Të shtunën, moti do të jetë me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa në malet dhe zonat më të larta priten reshje bore.

Të dielën, pritet mot me vranësira të dendura dhe reshje bore, ku në disa zona do të formohet mbulesë bore, ndërsa në male trashësia e saj do të rritet.

Në Mal të Zi, të premten priten vranësira dhe reshje të dendura shiu, të shoqëruara me erëra mesatarisht të forta. Në zonat malore do të ketë reshje bore, ndërsa në mëngjes dhe mbrëmje parashikohet mjegull.

Të shtunën, moti do të jetë kryesisht i vranët me reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore reshjet do të jenë bore.

Të dielën, pritet të ketë reshje intensive shiu, të shoqëruara me erëra të forta. Në zonat malore reshjet do të jenë kryesisht në formë bore.

Në përgjithësi, fundjava pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm dhe reshje në të gjitha vendet e rajonit, parashihet të kemi një dimër të vërtetë.

/Motilokal.com