A duhet të frikësohemi nga virusi HMPV që po përhapet në Kinë? Flet doktori Faik Hoti

A duhet të frikësohemi nga virusi HMPV që po përhapet në Kinë? Flet doktori Faik Hoti

Me fillimin e sezonit të viruseve, kujdesi për shëndetin bëhet prioritet. Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) po vazhdon mbikëqyrjen e rasteve të gripit sezonal, i cili ka shënuar 10% të rasteve krahasuar me javët paraprake. Përveç gripit, një tjetër virus i frymëmarrjes, Human Metapneumovirus (HMPV), është bërë temë diskutimi global, me raste të konfirmuara kryesisht në Kinë. Ndërsa në Kosovë ende nuk janë raportuar raste me HMPV, informimi dhe zbatimi i masave parandaluese mbeten thelbësore për ta mbrojtur shëndetin tonë dhe komunitetin përreth. Ky virus ka simptoma të ngjashme me ato të gripit dhe ftohjes dhe është normale rritja e rasteve gjatë dimrit.

Për më shumë Motilokal.com realizoi një intervistë me dr. Faik Hoti, Specialist i Shëndetësisë Publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Intervitoi: Shkëlzen Rrecaj

Duke qenë se jemi në sezonin e viruseve, a mund të na informoni mbi situatën aktuale të gripit në Kosovë sipas të dhënave të IKSHPK-së dhe nëse ka një shtim të rasteve këtë vit në krahasim me vitet e kaluara?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të gripit (influencës sezonale) me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse. Mbikëqyrja realizohet përmes hulumtimit aktiv dhe pasiv në institucione shëndetësore dhe në terren.

Nga fillimi i sezonës së gripit, 30 shtator 2024 janë raportuar raste të sëmundjes të ngjashme me gripin, raste të infeksioneve respiratore akute, raste me infeksione të rënda respiratore akute si dhe raste të konfirmuara të gripit sezonal.

Intensiteti i gripit sipas numrit të rasteve të raportuara për fundin e vitit 2024 dhe fillimin e vitit 2025 paraqitet në aktivitetin e mesëm të lartë të qarkullimit, me një ngritje prej rreth 10% të rasteve krahasuar me javët paraprake, që i përgjigjet sezonës aktuale në të cilën jemi, duke qenë që dhjetori dhe janari zakonisht shënojnë pikun e rasteve të gripit.

Meqë gripi sezonal është sëmundje akute infektive, e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, IKSHPK i rekomandon qytetarët që të vaksinohen kundër gripit, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit.

Sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, prandaj, qytetarët pa dallim moshe duhet të vaksinohen si preventivë dhe të krijojnë imunitet, duke njohur faktin se efekti imunitar i vaksinës vjen në shprehje rreth dy javë pas marrjes së saj.

Çfarë është Human Metapneumovirus (HMPV) dhe cilat janë simptomat kryesore që duhet të kemi kujdes nga ky virus?

Është një virus i njohur dhe i zakonshëm që qarkullon në mbarë botën çdo vit dhe shkakton sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes me simptoma të ngjashme me ato të ftohjes, gripit dhe Covid-19. Simptomat kryesore janë kolla, ethet, zënie të hundëve dhe vështirësi në frymëmarrje. Si virus është identifikuar në vitin 2001 në Holandë, por shkenctarët thonë se ai ka qarkulluar te njerëzit qysh para më shumë se 50 vjetëve.

Si po monitorohet situata e shpërthimit të HMPV-së në Kinë dhe a ka pasur raste të ngjashme në rajon, përfshirë Kosovën?

Autoritetet shëndetësore në botë, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe autoritetet lokale po e monitorojnë situatën pas raportimit të një numri të konsideruar të rasteve të HMPV, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit në Kinë.

Por, aktualisht OBSH, ka vlerësuar se konfirimi i rasteve nuk është shkak për alarm, pasi që infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, duke përfshirë edhe infeksionin me HMPV, zakonisht rriten në të gjithë hemisferën veriore gjatë stinës së dimrit  dhe pranverës dhe se HMPV është një virus i zakonshëm i frymëmarrjes në aspektin global.

Së fundi, është raportuar për një rast të konfirmuar në Greqi, por gjatë viteve të kaluara ka pasur raste të HMPV-së edhe në rajon dhe se, sipas shkenctarëve, pothuajse çdo fëmijë deri në në ditëlindjen e tij të pestë ka mundësi që të preket nga ky virus.

Në Kosovë, nuk ka tani për tani raste të konfirmuara të hMPV.

A ka ndonjë protokoll të veçantë për parandalimin dhe trajtimin e këtij virusi? Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth nesh?

Protokolli i parandalimit dhe mbrojtjes që zbatohet kundër HMPV është i ngjashëm me atë të trajtimit të viruseve të tjerë të rrugëve të frymëmarrjes që nënkupton zbatimin e masave standarde të parandalimit e mbojtjes siç janë: larja e duarve shpesh me ujë dhe sapun, shmangia e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara dhe evitimi i kontaktave të ngushta me persona të sëmurë. Punëtorët shëndetëor ndërkaq rekomandohen që t’i bartin maskat gjatë orarit të punës për shkak se në qarkullim ka lloje të ndryshme të virusëve në sezonin e dimrit dhe ata kanë kontakte të shumta me pacientët që mund të jenë bartës të ndonjë virusi.

Ndaj HMPV nuk ka vaksinë, derisa trajtimi është me terapi mbështetëse për t’i menaxhuar simptomat e sëmundjes dhe parandaluar komplikimet.

A ka ekziston mundësia e përhapjes së virusit nëpërmjet udhëtimeve ndërkombëtare? A duhet të shqetësohemi për mundësinë e përhapjes në rajonin tonë?

Viruset përhapen përmes kontakteve dhe në kohën e tashme me lëvizjet e qytetarëvë nga një vend, apo nga një kontinent në tjetrin janë normale.

Por, meqë në rastin konkret bëhet fjalë për një virus të njohur dhe jo të krahasueshëm me SARS-COV 2, që kishte shkaktuar COVID-19, nuk ka nevojë për ndonjë alarm, por ka nevojë për kujdes dhe ndërgjegjësim sa më të madh shëndetësor për ruajtjen e shëndetit individual, por edhe të komunitetit.

Çfarë po mund të bëjnë autoritetet shëndetësore për të parandaluar përhapjen e këtij virusi nëse ai arrin në Kosovë dhe si mund të informohen qytetarët?

Autoritetet në Kosovë po e monitorojnë aktivisht situatën, po komunikojnë me qytetarët dhe publikun për t’i komunikuar e ndarë informacionet e nevojshme rreth virusit, për t’i promovuar masat parandaluese dhe për t’i mbajtur kapacitetet shëndetësore të mobilizuara me plane konkrete dhe infrastrukturë e resurse të nevojshme që t’i përgjigjen çdo situate. Në këtë aspekt, përvoja e fituar dhe mësimet e nxjerra edhe nga COVID-19, janë një ndihmesë për përgjigje në emergjencat e reja eventuale të shëndetit publik.

Sa është HMPV i rrezikshëm për grupe të caktuara të popullsisë, si fëmijët, të moshuarit, ose ata me sistem imunitar të dobësuar?

Shumica e infeksioneve me HMPV janë të lehta dhe ngjajnë me simptomat e zakonshme të ftohjes, por komplikimet në raste të caktuara nuk përjashtohen dhe ato kanë të bëjnë me ndezje të  mushkërive ose bronkeve, veçanërisht te foshnjat, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Fëmijët dhe personat e moshuar janë më të ekspozuar ndaj rrezikut.

Sidoqoftë, llogaritet se meqë ky nuk është një virus i ri, popullata në mbarë botën të ketë krijuar një lloj imuniteti ndaj tij dhe sjellja e këtij virusi të jetë e ngjashme me virusët sezonalë, të cilët në muajtë e dimrit janë më të pranishëm.

/Motilokal.com