Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Harris, tha se sëmundjet e frymëmarrjes të raportuara në Kinë janë brenda niveleve normale për sezonin e dimrit. Në një konferencë javore për media në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Harris theksoi se ka pasur interes të madh mediatik për viruset e frymëmarrjes në Kinë, veçanërisht për metapneumovirusin njerëzor (HMPV). Ajo kujtoi se raportet nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë për një rritje të infeksioneve respiratore, e cila është e pritshme gjatë muajve të dimrit.
"Sipas të dhënave nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, patogjenët përgjegjës për këto infeksione janë të njohur. Ata përfshijnë virusin e gripit sezonal, virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), HMPV dhe virusin që shkakton Covid-19", shtoi ajo. Harris theksoi gjithashtu se Kina ka një sistem mbikëqyrjeje parandaluese për sëmundjet e ngjashme me gripin dhe infeksionet e rënda akute të frymëmarrjes.
Duke nënvizuar se gripi sezonal është patogjeni më i zakonshëm në Kinë dhe po rritet, Harris përmendi se shkalla pozitive e testeve për gripin ka kaluar 30% në mesin e individëve që kanë shfaqur simptoma në fund të vitit të kaluar. "Nivelet e infeksioneve të frymëmarrjes në Kinë janë brenda niveleve normale për këtë sezon dimri. Zyrtarët raportojnë se përdorimi i spitaleve është më i ulët krahasuar me vitin e kaluar dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje urgjente. Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Reagimit ndaj Gripit të OBSH-së ka vërejtur një rritje të gripit në disa vende të Azisë, Evropës, Afrikës dhe Karaibeve, ku po zhvillohet dimri", tha Harris.
Harris gjithashtu informoi se HMPV, i cili është një virus që zakonisht shfaqet në dimër dhe pranverë, është konfirmuar për herë të parë në vitin 2001. Ajo rekomandoi që shmangia e sëmundjeve gjatë dimrit dhe marrja e masave paraprake mund të parandalojnë përhapjen e virusit. "Të moshuarit dhe ata me sistem të dobët imunitar janë grupi më i rrezikuar, dhe këta individë duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse ndihen të sëmurë", përfundoi Harris.
/Motilokal.com
