Javën e ardhshme pritet një mot tipik dimëror, i ftohtë dhe me reshje bore, për shkak të një cikloni që do të kalojë në rajon gjatë fillimit të javës. Parashikimet e fundit sugjerojnë mundësinë e një cikloni dimëror, i cili, përveç viseve kodrinore-malore, mund të sjellë reshje bore edhe në zonat e ulëta të Kosovës, madje edhe në disa nga zonat më të ulëta të vendit.
Të premten pritet të kalojë një ciklon i shoqëruar me një front të ftohtë. Fillimisht, do të kemi reshje shiu, të cilat gjatë të shtunës do të shndërrohen në reshje bore në shumë zona të Kosovës, përfshirë edhe viset kodrinore-malore të rajonit.
Edhe Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme gjatë ditëve në vijim. Moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale të shkurtra dielli. Reshjet e shiut do të fillojnë që në orët e para të ditës, në veriperëndim dhe jugperëndim të Shqipërisë. Gradualisht, reshjet do të përhapen në pjesën tjetër të vendit, fillimisht me intensitet të ulët, por nga mesdita, intensiteti i reshjeve do të rritet, duke arritur nivele mesatare, dhe lokalisht edhe të larta, veçanërisht në veriperëndim dhe perëndim. Në Alpe dhe në zonat malore, mbi 1000 metra lartësi, priten reshje bore. Edhe ditën e shtunë do të ketë reshje të herëpashershme, ndërsa në viset malore të vendit priten reshje bore.
Gjithashtu, reshje shiu dhe bore priten edhe në disa zona të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Në fillim të javës së ardhshme, pritet një valë më e madhe ajri të ftohtë dhe një ciklon më i fuqishëm dimëror, i cili do të shkaktojë reshje bore në shumë vise të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
/Motilokal.com
