Me 62 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin që ndalon përdorimin e pijeve energjike për personat nën moshën 18 vjeç. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet që lidhen me konsumimin e këtyre produkteve.
Projektligji synon të trajtojë shqetësimet në rritje për efektet negative të pijeve energjike në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve. Me këtë masë, Kosova vendos një standard të ri ligjor, duke dhënë prioritet mirëqenies së brezave të ardhshëm.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se me projektligj parashihen kontrolle të rrepta që të ndalohet konsumimi i pijeve energjike nga të miturit.
“Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë vjeç, ka për qëllim të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme. Përfshin ndalimin e konsumimit të pijeve nga të miturit dhe përfshin kontrolle të rrepta. Ky projektligj nuk bie ndesh me ndonjë akt të Bashkimit Evropian. Për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime të ndryshme publike. Komisioni për Mjedis e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe propozojmë që ky projektligj të votohet parimisht”, ka thënë ajo.
/Motilokal.com