Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, një kompani shiti për herë të parë më shumë automjete elektrike se Tesla. Ishte BYD kineze që fitoi klientët, kryesisht në Kinë, me një kombinim të teknologjisë së shkëlqyer dhe çmimeve të përballueshme, dhe duke pasur parasysh se një pjesë e fokusit të tyre është tek eksportet, zgjerimi në tregje të reja duhet të rezultojë në shitje edhe më të mira.
Ne do të zbulojmë pas rreth një muaji nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të rrëzuar Tesl-n dhe për të kapërcyer kompaninë e Musk në 2024, por BYD mund të jetë më se e kënaqur me vitin e deritanishëm. Pas njëmbëdhjetë muajsh të këtij viti, kompania tashmë ka tejkaluar planet që kanë vendosur për të gjithë vitin. Muaji i kaluar ishte muaji i dytë radhazi që ata shitën më shumë se gjysmë milioni vetura (elektrike dhe hibride), me një rritje të lehtë të shitjeve në nëntor në krahasim me tetorin. Me afro 507,000 automjete të shitura muajin e kaluar, numri i veturave të shitura këtë vit u rrit në 3.7 milionë, ndërsa më herët ata planifikonin të shisnin 3.6 milionë gjatë gjithë vitit.
Ashtu si më parë, muajin e kaluar BYD shiti më shumë hibride plug-in, më shumë se 305 mijë, ndërsa numri i automjeteve elektrike ishte pak më pak se 200 mijë. Krahasuar me muajin e kaluar, kur janë shitur rreth 190,000 vetura elektrike, ka pasur një rritje prej katër për qind, dhe shifrat janë shumë më të mira në krahasim me nëntorin e vitit 2023, dhe tani janë shitur 16 për qind më shumë vetura elektrike. Ndërsa numri i hibrideve të shitura është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin e kaluar (133 për qind), ato janë shitur pak më pak në krahasim me muajin e kaluar. Muajin e kaluar kjo kompani u mburr me prodhimin e atyre që i quajnë automjete me energji të re, që është një kategori që përfshin vetura elektrike dhe hibride dhe në mes të nëntorit ky prodhim arriti në 10 milionë vetura.
Me më shumë se 500,000 automjete të shitura në tremujorin e tretë, BYD kaloi kompanitë e mëdha të veturave si Ford, Nissan dhe Honda dhe tani pyetja është nëse ata mund të kalojnë Tesla-n për sa i përket numrit të veturave elektrike të shitura këtë vit. Në Electrek, ata thonë se Tesla ka shitur pak më pak se 1.3 milionë vetura gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, dhe duke qenë se nuk publikon të dhëna mujore, por tremujore, ne do të kemi të dhëna për të gjithë vitin vetëm në fillim të janarit. Nga ana tjetër, BYD ka shitur më shumë se 1.5 milionë vetura elektrike deri më tani këtë vit. Vitin e kaluar në periudhën nga tetori deri në dhjetor ata shitën më shumë vetura elektrike se Tesla dhe do të jetë interesante të shihet nëse mund të përfundojnë përpara kompanisë së Musk tani dhe gjatë gjithë vitit, apo nëse mund të shesin më shumë vetura elektrike se Tesla në 2024, e cila do të jetë mjaft sfiduese dhe e vështirë.
/Motilokal.com