Qeveria e Kosovës nga sot kufizon lëvizjen e qytetarëve si masë për mbrojtjen nga koronavirus

Qeveria e Kosovës nga sot kufizon lëvizjen e qytetarëve si masë për mbrojtjen nga koronavirus

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që nga sot të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për mbrojtje nga Pandemia e koronavirusit te ri Covid 19.

Sipas këtij vendimi është vendosur që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00.

Vendimi ndalon qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveq për nevoja mjeksore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë.

Vendimi u mundëson qarkullimin e lirë për operatorët ekonomik të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

Po ashtu vendimi thekson se lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

Vendimi ndalon edhe tubimet në të gjitha mjediset - private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura - përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit.

Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi./Motilokal.com