Në Fushë-Studën në Stëblevë të Librazhdit ka mbërritur bora e parë.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot pamje nga dëbora e parë në këtë fshat që është shndërruar në një atraksion turistik.
“Edhe në Fushë-Studën Stëblevë, Librazhd mbërriti dëbora e parë. Banorët e mrekullueshëm e punëtorë të kësaj zone ju mirëpresin”, shkruan Balla.
Fshati Fushë-Studën në Librazhd, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut, i mbuluar nga dëbora ofron një pamje piktoreske për të pasionuarit pas natyrës.
I kthyer në një prej destinacioneve më të reja dhe më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor, ky fshat t’i ofron të gjitha, ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Liqeni i Fushë-Studënit i rrethuar nga bardhësia e dëborës ka marrë një pamje spektakolare.
Fshati Fushë-Studën nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore, rekreative, traditat dhe kulturat, mundëson një turizëm të veçantë. Turistët në këtë vend mund të shijojnë peshkim në ujërat malore, ecje sportive, alpinizëm dhe shumë atraksione të tjera që ky vend ofron.
Fushë-Studën ndodhet në njësinë administrative Stëblevë në Librazhd dhe është një ndër atraksionet më të bukura të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
/Motilokal.com
