Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në Liqenin e Gjenevës

Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në Liqenin e Gjenevës

Qysh prej vitit 2012, thellësitë e Liqenit të Gjenevës nuk janë furnizuar sa duhet me oksigjen, si pasojë e mungesës së motit të ftohtë, shkruan lenews, përcjell albinfo.ch.

Zakonisht, moti i ftohtë e freskon ujin në sipërfaqe. Kjo masë e ftohtë e dendur, më pas rrëshqet teposhtë duke krijuar një përzierje, e cila e përcjellë oksigjenin në thellësi të ujit.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ujërave të Liqenit (CIPEL), kjo përzierje arriti vetëm në 135 metra thellësi gjatë këtij dimri, që është më pak se gjysma e thellësisë maksimale të liqenit (309 metra).

Nivelet e ulëta të okisgjenit rrisin sasinë e fosforit që del nga shtrati i liqenit. Si pasojë, shtohet rritja e algave, e në anën tjetër zvogëlohet niveli i oksigjenit.

Ky cikël është rritur edhe si pasojë e fosforit që është liruar në shtratin e liqenit nga veprimet e faktorit njeri.