Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike thekson përparimin dhe sfidat që përballen vendet kandidate në përafrimin me standardet e BE-së në këtë fushë. BE-ja vazhdon të promovojë veprime të forta për klimën, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit, duke kërkuar përputhje me rregullat për cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës dhe reduktimin e ndotjes industriale.
Në raport, theksohet se përmbushja e objektivave të Axhendës së Gjelbër dhe Udhërrëfyesit të Komunitetit të Energjisë për dekarbonizimin kërkon përpjekje të mëtejshme dhe kapacitetet e kufizuara të autoriteteve mjedisore mbeten pengesë kryesore. Financimi dhe angazhimi politik për zbatimin e kornizës strategjike janë ende të pamjaftueshëm.
Pavarësisht disa përparimeve në cilësinë e ajrit, veçanërisht në Prishtinë, ndotja e ajrit mbetet një sfidë e madhe, ndërsa zbatimi i masave për të ndaluar përdorimin e qymyrit për ngrohje është ende i ngadaltë. Progresi në menaxhimin e mbetjeve përfshin miratimin e legjislacionit për paketimin dhe mbetjet e paketimit, ndërsa numri i venddepozitimeve ilegale ka rënë ndjeshëm.
Raporti gjithashtu tregon për përparim të kufizuar në menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen e natyrës, me disa zona të reja të mbrojtura, por kapacitetet institucionale mbeten të dobëta. Progresi në luftën kundër ndotjes industriale dhe në përputhjen me Direktivat e BE-së për kimikatet dhe zhurmën është gjithashtu shumë i ngadaltë.
Për sa i përket mbrojtjes civile, janë shënuar disa përparime, përfshirë miratimin e planeve për reagim ndaj fatkeqësive, por nevojitet përmirësim i koordinimit dhe zbatimit të masave për mbrojtje dhe reagim ndaj rreziqeve natyrore.
/Motilokal.com
