Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është një ditë ndërkombëtare e cila shënohet më 21 mars. Si e tillë ajo është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuar më 28 nëntor të vitit 2012. Çdo vit, ngjarje të ndryshme shënojnë këtë ditë duke ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, si dhe pemëve jashtë pyjeve, në dobi të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve vendet inkurajohen të ndërmarrin përpjekje për të organizuar aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare që përfshijnë pyje dhe pemë, siç janë fushatat për mbjelljen e pemëve. Sekretariati i Forumit të Kombeve të Bashkuara për Pyjet, në bashkëpunim me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë, inkurajon shënimin e ngjarjeve të tilla në bashkëpunim me qeveritë, Partneritetin Bashkëpunues për Pyjet dhe organizatat ndërkombëtare, rajonale dhe vendore. Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shënuar për herë të parë më 21 mars të vitit 2013.
Tema për secilën Ditë Ndërkombëtare të Pyjeve zgjidhet nga Partneriteti Bashkëpunues për Pyjet. Tema për vitin 2020 është Pyjet dhe Biodiversiteti.
Kosova ka mbi 464 mijë hektarë pyje
Pyjet e Kosovës janë të ndara në pyje të larta, pyje të ulëta, shkurre dhe pyje të degraduara. Pjesën më të madhe të pyjeve të Kosovës e përbejnë pyjet e ulëta (42 për qind), ndërsa pjesën më të vogël pyjet e larta (15 për qind).
Sipas inventarizimit kombëtar të pyjeve që është realizuar në vitin 2003, është vlerësuar se sipërfaqja totale pyjore është 464,800 ha apo 42 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës. Rreth 278,880 ha janë toka pyjore në pronësi publike, që menaxhohen nga Agjencioni Pyjor i Kosovës (APK), dhe është e organizuar në gjashtë rajone gjeografike. Pyjet gjetherënëse përfaqësojnë 90 për qind të pyjeve të Kosovës dhe janë të dominuar nga dushqet dhe ahu, kurse pyjet halore mbulojnë rreth 7 për qind te pyjeve dhe janë të dominuar nga pisha, bredhi dhe hermoqi./Motilokal.com
