Stuhitë, vërshimet dhe thatësirat përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe funksionimin e sistemeve shëndetësore. Dëmtimi i infrastrukturës shëndetësore, rritja e numrit të pacientëve dhe ndikimi negativ në shëndetin mendor janë disa nga pasojat e këtyre katastrofave. Për më tepër, kushtet ekstreme të motit ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve infektive duke krijuar kushte të favorshme për vektorët e sëmundjeve. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të përgatiten masa të përshtatshme dhe politika që të mbrojnë popullatën nga ndikimet negative të klimës, duke integruar kujdesin shëndetësor në planifikimin e strategjive për përballimin e krizave klimatike.
Motilokal.com ka zhvilluar një intervistë me dr. Petrit Mulakun, specialist i mjekësisë emergjente, për të eksploruar më në detaje ndikimin e ngjarjeve ekstreme të motit në sistemet shëndetësore.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Sa ndikojnë ngjarjet ekstreme të motit në kapacitetin e sistemeve shëndetësore?
Ngjarjet ekstreme të motit mund të kenë ndikim të thellë në sistemet shëndetësore dhe në funksionimin e tyre, në mënyra të ndryshme.
Në radhë të parë vjen dëmtimi i infrastrukturës së institucioneve shëndetësore si pasojë e veprimit të drejtpërdrejtë, duke shkaktuar dëme të shkallëve të ndryshme. Stuhitë, vërshimet dhe zjarret mund të dëmtojnë spitalet, klinikat dhe institucionet e tjera, duke ndërprerë shërbimet dhe duke e kufizuar kështu qasjen në shërbime shëndetësore.
Katastrofat mjedisore mund të rritin numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë në institucionet shëndetësore, me ankesa që variojnë nga lëndimet fizike dhe sëmundjet, deri te problemet e shëndetit mendor. Kjo shkakton mbipopullim dhe ndikon drejtpërdrejt në funksionimin normal të këtyre institucioneve.
Probleme të tjera që mund të shkaktohen nga kushtet ekstreme të motit, të cilat vlejnë të përmenden, përfshijnë ndikimin në zinxhirin e furnizimeve, mungesën e stafit mjekësor, rreziqet nga epidemitë e ndryshme, efektet në shëndetin mendor, si dhe ndikimin në kapacitetet e reagimit ndaj katastrofave të jashtme.
Si mund të ndikojnë kushtet ekstreme të motit në përhapjen e sëmundjeve infeksioze?
Ngjarjet ekstreme të motit mund të ndikojnë në përhapjen e epidemive përmes proceseve të ndryshme. Së pari, janë ndryshimet në temperaturën e ambientit. Temperaturat më të larta mund të zgjerojnë habitatet e vektorëve të tillë si mushkonjat dhe rriqrat, duke rritur kështu transmetimin e sëmundjeve si malaria, denga dhe sëmundja e Lyme. Sasitë e mëdha të reshjeve mund të krijojnë pellgje me ujë, të cilat shërbejnë si vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave, ndërsa thatësirat mund të çojnë në mungesë uji dhe të krijojnë kushte të rënda higjieno-sanitare, duke favorizuar përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.
Zhvendosja e popullatave si pasojë e kushteve ekstreme të motit mund të çojë në mbipopullim dhe kushte të pafavorshme jetese, duke rritur rrezikun për përhapjen e infeksioneve të ndryshme, si infeksionet respiratore dhe gastrointestinale.
Efekte të tjera në këtë kontekst mund të përfshijnë dëmtimet në infrastrukturën e shëndetit publik, ndikimin negativ në sigurinë e ujit dhe ushqimit, si dhe ndërveprimet me botën e egër.
Cilat masa duhet të ndermirën për të mbrojtur grupet e cenueshme shëndetësore nga efektet klimatike?
Mbrojtja e popullatave të cenueshme gjatë katastrofave klimatike përfshin disa veprime të rëndësishme.
Fillimisht, nevojitet një vlerësim i rrezikut për të identifikuar popullatat e cenueshme dhe për të vlerësuar nevojat e tyre gjatë katastrofave klimatike. Duhet të vlerësohet infrastruktura ekzistuese dhe të identifikohen mangësitë, si p.sh., mbrojtja nga vërshimet, përmirësimi i sistemeve të drenazhimit dhe ndërtesat me rezistencë ndaj nxehtësisë. Duhet të hartohen plane emergjente të gatishmërisë me udhëzime të qarta për menaxhimin e individëve të cenueshëm gjatë katastrofave ose të krijohen plane të veçanta për këto popullata. Gjithashtu, duhet planifikuar ndihma financiare për rikuperimin e popullatave të cenueshme nga dëmet e shkaktuara nga katastrofat klimatike.
Hapa të tjerë me rëndësi përfshijnë sigurimin e qasjes në resurset e nevojshme, mbështetjen për problemet e shëndetit mendor, edukimin dhe trajnimin, etj.
Cili është roli i edukimit dhe ndërgjegjësimit për zbutjen e pasojave të katastrofave klimatike?
Edukimi dhe ndërgjegjësimi publik luajnë një rol të madh në zbutjen e pasojave të katastrofave klimatike. Përmes edukimit publik, fillimisht arrihet përhapja e informacioneve të rëndësishme lidhur me shkaqet dhe ndikimin e kushteve klimatike, duke ndihmuar në kuptimin e urgjencës së katastrofave klimatike. Edukimi publik fuqizon individët të marrin vendime të informuara për veprimet e nevojshme për mbrojtjen nga kushtet klimatike. Gjithashtu, edukimi dhe përhapja e informacioneve mund të nxisin ndryshime në sjellje, duke krijuar një qasje më të përshtatshme ndaj përgatitjes për katastrofa.
Po ashtu, edukimi dhe ndërgjegjësimi ndihmojnë në vlerësimin e rrezikut dhe gatishmërinë ndaj katastrofave, angazhimin e komunitetit, zhvillimin e aftësive, ndryshimet kulturore, nxitjen e hulumtimeve shkencore dhe zhvillimin e njohurive të reja.
Cilat politika duhet të ndjekin qeveritë për të përmirësuar infrastrukturën e sistemeve shëndetësore në përballje me ndryshimet klimatike?
Qeveritë duhet t’i ndjekin disa politika të rëndësishme në këtë aspekt. Së pari, janë investimet në infrastrukturë me qëllim të krijimit të një infrastrukture rezistente dhe të qëndrueshme ndaj ndikimeve të klimës. Duhet të hartohen plane emergjente që specifikojnë objektivat dhe hapat e nevojshëm për përballjen me katastrofat klimatike. Monitorimi dhe vlerësimi i rrezikut kanë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, po ashtu trajnimi i stafit, forcimi i sistemeve të shëndetit publik, promovimi i shëndetit mjedisor (reduktimi i ndotjes së ajrit), financimi i qëndrueshëm, etj.
Një rol shumë të rëndësishëm luajnë edhe koordinimi ndërinstitucional, pjesëmarrja e komunitetit, dhe inkurajimi i praktikave të qëndrueshme që promovojnë ruajtjen e mjedisit, si përdorimi i energjisë së rinovueshme dhe shfrytëzimi racional i resurseve.
Sa mund të integrohet kujdesi shëndetësor në planifikimin e masave për zbutjen dhe përshtatjen me ndryshimet klimatike.
Kujdesi shëndetësor mund të integrohet në planifikimin e masave në disa mënyra. Së pari, përmes vlerësimit të rrezikut shëndetësor, mund të identifikohen sëmundjet dhe problemet shëndetësore që lidhen me ndryshimet klimatike. Inkurajimi i politikave për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit, të cilat synojnë reduktimin e ndotjes, promovimin e aktiviteteve fizike dhe një dietë të shëndetshme, si dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore në zonat e prekura nga katastrofat, janë gjithashtu të rëndësishme.
Kontributi i kujdesit shëndetësor në planifikimin e masave mund të arrihet gjithashtu përmes përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, integrimit të të dhënave dhe bashkëpunimit interdisiplinar, etj.
/Motilokal.com
