Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së grantit për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan me vlerë 12.6 milionë euro financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga KfW.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i KfW për Evropën Juglindore, Klaus Muller, Drejori i Zyrës së KfW në Kosovë, Moritz Reme, Udhëheqësi i Departamentit të Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Daniel Alker, Zëvendës Udhëheqësi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Alessandro Bianciardi si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave, Dardan Velija.
Gjatë fjalës së tij hapëse, ministri Murati vlerësoi rolin e këtij projekti në garantimin e infrastrukturës adekuate për menaxhimin e mbeturinave dhe theksoi se iniciativa të tilla ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Ministri Murati përmendi se kjo marrëveshje vjen pas dy marrëveshjeve tashmë të ratifikuara, njëra me vlerë 19 milionë euro dhe tjetra me vlerë një milion euro nga KfW, me ç'rast falënderoi KfW dhe BE për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Muller gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, si dhe gatishmërinë e KfW për ta mbështetur Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim. Ceremonia përfundoi me nënshkrimin e grantit, i cili do të zbatohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.
/Motilokal.com
