Një ndalim i planifikuar i veturave të reja me benzinë dhe naftë në BE nga viti 2035 kërcënon industrinë evropiane të veturave, pohon kreu i prodhuesit gjerman të veturave BMW, duke paralajmëruar se asnjë vend anëtar i BE-së nuk është “as afër” të shesë vetëm vetura elektrike.
“Që prodhuesit evropianë të veturave të jenë përsëri konkurrues, politikanët duhet të vendosin kornizën për përparim dhe prosperitet, jo të bllokojnë teknologjitë e suksesshme”, tha shefi i BMW, Oliver Zipse, në panairin e motorëve në Paris të martën.
Kërkesa e dobët për vetura elektrike është një problem tregu që nuk mund të zgjidhet me subvencione afatshkurtra të qeverisë, sipas Zipse. Stimujt e qeverisë për blerje sjellin kosto të mëdha, sjellin vetëm rezultate afatshkurtra, pohon kreu i prodhuesit gjerman të veturave luksoze dhe shkaktojnë shqetësime në konkurrencën e tregut.
Shteti, thotë ai, mund të ndihmojë në ndërtimin e stacioneve të karburantit për automjetet elektrike dhe stacionet e hidrogjenit.
Vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë vendosur de facto të ndalojnë shitjen e veturave të reja me benzinë dhe naftë nga viti 2035 dhe Zipse beson se ata duhet të rishqyrtojnë urgjentisht këtë qëllim.
Asnjë vend i BE-së nuk është afër shitjes ekskluzivisht të veturave elektrike, theksoi kreu i BMW-së, duke kujtuar se tregjet e mëdha të huaja, si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, synojnë të mbajnë motorët me benzinë dhe naftë edhe pas vitit 2035.
/Motilokal.com
