Frymëmarrja në ajër të ndotur rrit rrezikun e diabetit të tipit 2, sipas një studimi të parë të këtij lloji në Indi. Konkretisht, studimi, i kryer mbi banorët e Nju Delhi dhe Chennai, zbuloi se frymëmarrja e ajrit me sasi të mëdha të grimcave PM2.5 çoi në nivele të larta të sheqerit në gjak dhe një rritje të incidencës së diabetit të tipit 2.
Sipas shkencëtarëve, grimcat PM2.5, të cilat janë 30 herë më të imta se flokët e njeriut, mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojnë sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Studimi është i pari që fokusohet në lidhjen midis ekspozimit ndaj PM2.5 dhe diabetit të tipit 2 në Indi. Ky është një vend ku ndotja e ajrit ka qenë një problem madhor prej dekadash.
Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 në Nju Delhi ishin 82-100 μg/m3 dhe në Chennai ishin 30-40 μg/m3, sipas studimit, shumë mbi kufirin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej 5 μg/m3.
Në studimin e publikuar në BMJ, studiuesit ndoqën një grup prej 12,000 burrash dhe grash në Nju Delhi dhe Chennai nga viti 2010 deri në 2017. Gjatë kësaj periudhe, shkencëtarët matën periodikisht nivelet e sheqerit në gjak. Duke përdorur të dhëna satelitore dhe modele të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit, ata përcaktuan ndotjen e ajrit në zonën ku secili pjesëmarrës ka jetuar për një periudhë të caktuar kohore.
Më pas ata zbuluan se një muaj ekspozimi ndaj PM2.5 çoi në rritjen e niveleve të sheqerit në gjak, ndërsa ekspozimi i zgjatur i një personi ndaj këtyre grimcave (një vit ose më shumë) çoi në një rrezik të shtuar të diabetit. Ata zbuluan gjithashtu se për çdo rritje prej 10 μg/m3 në nivelin mesatar vjetor të PM2.5 në të dy qytetet, rreziku i diabetit rritej me 22%.
“Duke pasur parasysh patofiziologjinë e indianëve indeks të ulët të masës trupore me përqindje të lartë yndyre ne jemi më të prirur ndaj diabetit sesa popullata perëndimore”, tha Siddhartha Mandal, autori kryesor i studimit dhe një studiues në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve Kronike në Nju Delhi. Shtimi i ndotjes së ajrit, një faktor mjedisor, nxit shfaqjen e diabetit, shtoi eksperti.
/Motilokal.com
